Ka nisur sot punimet dy ditore Konferenca Gjyqësore, gjatë së cilës pritet të zgjidhen dhe dy vendet e mbetura vakant në KLD. Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj gjatë fjalës së saj, deklaroi se askush nuk mund të vërë në diskutim vendimet e formës së prerë. Presidenti Bujar Nishani, njëherësh kreu i KLD-së vuri theksin tek konsolidimi i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kreu i Shtetit kërkoi nga trupa gjyqësore marrjen e të gjitha përgjegjësive si profesionale, ashtu dhe atyre shoqërore për progresin e sistemit të drejtësisë.
“Ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor është i standardeve më të mira që kemi dhe që nga momenti i hyrjes në fuqi ka ndikuar në jetën profesionale të gjyqtarit. Infrastruktura në përmirësim të vazhdueshëm është e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme.
Por, asnjëra nga këto nuk mundet të shkojë drejt përsosmërisë nëse gjyqtari nuk arrin të vlerësojë në maksimumin e vet rëndësinë që ka ai si person, si profesionist në shoqëri”, u shpreh Nishani.
Kreu i shtetit shprehu rëndësinë e pavarësisë së gjyqtarit nga palët në proces. “Pavarësia si koncept duhet të trajtohet dhe fokusuar tek raporti i gjyqtarit me palët në proces, me interesat e palëve në proces. Nëse do arrijmë ta konsolidojmë realisht këtë pavarësi të gjyqtarit, nga interesat e palëve në proces, e kemi orientuar në një rrugë pozitive çështjen e të bërit të shëndetshëm të sistemit të drejtësisë”, tha Presidenti.
13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)