Uniformat


Forcat e Armatosura janë në proces gjyqësor me stilistin Bujar Kardashi, i cili pretendon se nuk ka marrë shpërblim për dizenjimin


Sokol Çobo


Ushtria shqiptare është në një konflikt për uniformat, pasi stilisti që ka bërë dizenjimin pretendon se nuk ka marrë shpërblim. Bujar Kardashi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një padi “për shpërblim dëmi dhe njohje të së drejtës së autorit”. Megjithatë, të paditurit, përkatësisht FA dhe Ministria e Mbrojtjes, kanë bërë një denoncim në prokurori për këtë shtetas me arsyetimin se ka falsifikuar dokumentet. Gazeta “Shqip” ka siguruar dokumentet e akuzës dhe gjykatës, ku detajohet e gjithë historia e konfliktit, i cili duket se do të zgjasë edhe për shumë muaj, për shkak të burokracive. Prokuroria i ka dhënë të drejtë Kardashit, ndërsa gjykata vijon procesin civil.


 


Procesi


Në procesin gjyqësor, Kardashi pretendon se për shkak të përfshirjes në një grup pune, që do të punonte për përmirësimin e uniformave dhe shenjave që mbajnë ushtarakët e Forcave të Armatosura dhe e ka realizuar personalisht dhe i vetëm gjithë procesin e krijimit dhe përmirësimit të uniformave dhe shenjave të FA. Ai thotë se vlera financiare e pretenduar nga ushtria dhe ministria është 30 milionë lekë. Ndërkohë, gjykata caktoi një ekspert që për vlerësimin e uniformave dhe shenjave të FA ka nxjerrë shumën 60 milionë lekë. Përpos këtij procesi, që ende vazhdon, Ministria e Mbrojtjes pretendon se Kardashi ka paraqitur një shkresë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm me nr. 7763, e vitit 2003, ku përmendet nominalisht edhe emri i paditësit. “Nga verifikimi në arkivin e sekretarisë së Shtabit rezulton se kjo shkresë është e ndryshme nga ajo që paditësi ka paraqitur para gjykatës. Shkresa është e falsifikuar dhe ka të bëjë me faktin se në tekstin e shkresës origjinale që ndodhet në arkiv nuk përmendet emri i paditësit nominalisht. Gjithashtu, ka disa ndryshime në tekstin përbërës të shkresave, të cilat konsistojnë në ndryshimet e vendeve të fjalëve, në numrin e rreshtave të vetë shkresës, në llojin e vulës, etj.” pretendon ministria. Për këtë fakt, Ministria e Mbrojtjes i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim për falsifikim dokumentesh. Pas verifikimeve, akuza vendosi të pushojë këtë procedim penal. Ministria pretendon se ky vendim është haptazi i pambështetur dhe e kundërshtoi këtë vendim në gjykatë me argumentimin se hetuesit kanë analizuar vetëm nënshkrimin e firmës së Shefit të Shtabit të asaj kohe, Pëllumb Qazimi. I njëjti konkluzion arrihet edhe për vulën e institucionit, pasi vulat janë me konture të ndryshme. “Nuk është e mundur që brenda një dite të kenë qenë në përdorim dy vula të ndryshme sa i përket konfigurimit të tyre, njëra vetëm me një rreth kontur, kurse tjetra me dy konture. Ky fakt tregon që institucioni i hetimit nuk ka kryer një hetim të plotë dhe të thellë”, pretendon Ministria e Mbrojtjes, në ankesën që ka bërë në gjykatë kundër vendimit të akuzës.


 


Faktet e prokurorisë


Prokuroria ka analizuar kallëzimin dhe ka kryer ekspertimet përkatëse. Sipas akuzës, Kardashi pretendon se duke qenë se është përfshirë në një grup pune që do të punonte për përmirësimin e uniformave dhe shenjave që mbajnë ushtarakët e FA, ka realizuar i vetëm të gjithë procesin e krijimit dhe përmirësimit të uniformave dhe shenjave të FA. Sipas dëshmisë në prokurori, Kardashi ka deklaruar se në vitin 2003 ka parë të shpallur në gazetën “Ushtria” se organizohej një konkurs ku kërkohej rrobaqepës, stilist, piktor etj. Për këtë, ka shkuar në ministri dhe pasi ka biseduar për këtë fakt, nga ana e përfaqësuesve ka rezultuar se kishin dijeni lidhur me punën që bënte si stilist dhe nga Drejtoria Logjistike është bërë një propozim për emërimin si stilist, ku është nxjerrë urdhër për emërimin si stilist në këtë grup pune. Si stilist, ka kryer një punë shumë të madhe për të realizuar të gjitha çfarë kërkohej nga grupi i punës dhe në përfundim të kryerjes së gjithë këtij stilimi është bërë një sfilatë e madhe te Pallati i Kongreseve, ku nga ana e drejtuesve të ushtrisë dhe të gjithë atasheve të vendeve të NATO-s është falënderuar për këtë pune. “E gjithë puna është dorëzuar tek Komanda e Mbështetjes Logjistike dhe më pas duhej të bëhej pagesa përkatëse lidhur me këtë punë të kryer, por kjo gjë nuk ka ndodhur”, pretendon Kardashi.


Janë thirrur dhe pyetur personat që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, anëtarë të grupit të punës “për përmirësimin e uniformës ushtarake, gradave dhe shenjave që mbahen në uniformën ushtarake”. Janë nxjerrë dy urdhra të ministrit të Mbrojtjes duke caktuar përfaqësues të disa komandave dhe stilistin Bujar Kardashi. Është pyetur edhe specialistja e informacionit të klasifikuar, e cila ka pohuar se është vërtetuar njësia me origjinalin nga ana e saj. Prokuroria ka argumentuar se nuk ndodhet para falsifikimit të dokumenteve, siç pretendon Ministria e Mbrojtjes.


Pas ankesës së Ministrisë së Mbrojtjes për pushimin e këtij denoncimi, gjykata thekson se është prokuroria autoriteti kushtetues dhe ligjor për ndjekjen penale dhe për pasojë, ka të drejtë të fillojë apo jo një procedim penal. Në bazë të verifikimeve pohoi se fakti nuk ekziston.


 


Detaje


Stilimi: Kardashi pretendon se ka realizuar i vetëm gjithë procesin e krijimit dhe përmirësimit të uniformave dhe shenjave të FA


Kallëzimi


Ai u akuzua për falsifikim dokumentesh. Prokuroria pushoi hetimet, ndërsa ministria e kundërshtoi vendimin e akuzës


 


Gjykata: Pas verifikimeve të pretendimeve, Gjykata e Tiranës pohoi se vendimi i prokurorisë për pushimin e kallëzimit është i drejtë


 


Gara


Shërbimi për veshjet e reja do të zgjasë shtatë vjet


Uniformat e ushtrisë, tenderi 14 milionë USD hapet në qershor


Nisin ethet për sektorin e fasonit në vend. Në kohë krize, një tender me vlerë 14 milionë dollarë për prodhimin e veshjeve të ushtrisë konsiderohet një shans i mirë, që vjen një herë në shtatë vjet, kohëzgjatja e shërbimit. Pas tenderit për uniformat e policisë, tashmë i takon ushtarakëve të vishen me rroba të reja, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është punuar prej kohësh, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent (nisur nga debatet për uniformat e policive). Ministria ka shpallur zyrtarisht termat e tenderit, me objekt “blerje uniforma ushtarake”, për vlerën 1.4 miliardë lekë dhe për një afat shtatëvjeçar 2012 – 2018, periudhë kur do të lëvrohet malli. Sipas njoftimit, të bërë publik nga Agjencia e Prokurimeve, tenderi pritet të zhvillohet më 28 qershor dhe ku interesi i firmave shqiptare do të jetë i madh. Shumë operatorë vendas i druhen faktit se ministria mund t’ia përcjellë shërbimin e prodhimit të veshjeve një firme të huaj, kineze apo turke, për të shmangur dyshimet dhe kritikat që plasën me tenderin e shumëpërfolur të Policisë së Shtetit, i cili një vit nga realizimi, ende hetohet nga strukturat e Prokurorisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.