Gjirokastër: Zbulohet vrasja me armë zjarri e Haki Manajt, e fshehur nga autori Xhevat Dudumi si djegie


Policia e Gjirokastrës zbulon një vrasje me armë zjarri të një bariu, ngjarje e fshehur dhe maskuar si djegie dhe asfiksi nga zjarri e viktimës, i cili është hedhur mbi zjarr për të mbuluar gjurmët e krimit dhe për të lënë përshtypje të një vdekjeje aksidentale. Ekspertët kriminalistë kanë kontrolluar imtësisht trupin e viktimës, të gjetur mes flakëve mbrëmjen e datës 25 gusht 2012, ku zbuluan se bariu Haki Manaj nuk kishte humbur jetën nga djegia dhe asfiksia nga zjarri, por ai ishte vrarë me paramendim me armë zjarri çifte gjuetie. Pas zbardhjes së ngjarjes, policia arriti të identifikojë autorin, i cili është Xhevat Dudumi, ndërsa motivi është sherri mes të dyve për një kullotë.


 


Vrasja


Policia bëri të ditur se fillimisht kishte marrë informacione se bariu kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga një zjarr në kullotë. Ndërkohë, nga hetimet e mëvonshme është zbuluar se ai është vrarë me armë gjahu dhe më pas autori për të mbuluar gjurmët e ka transportuar trupin e viktimës në një territor të cilit i ka vënë zjarr me qëllim që vrasja të konsiderohej si aksidentale dhe vrasësi t’i shpëtonte ndëshkimit. Pas zbulimit të skemës së mashtrimit të përdorur nga vrasësi, policia ka vepruar me shpejtësi duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut çifte.


Në një komunikatë të dytë të policisë, përgënjeshtrohet njoftimi i mëparshëm dhe thuhet se në lidhje me ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e datës 25 gusht 2012, ku humbi jetën një çoban në fshatin Valare të rrethit Gjirokastër dhe nga ana jonë si polici është nxjerrë komunikatë paraprake se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë, policia informon opinionin publik se rreth orës 21:00, pasi trupi i viktimës Haki Manaj është transportuar për në morgun e spitalit rajonal në Gjirokastër nga ekspertiza mjeko-ligjore është bërë këqyrja e plotë e kufomës dhe ka rezultuar se vdekja nuk ka qenë aksidentale dhe si pasojë e zjarrit, por një vrasje me armë zjarri. “Eksperti mjekoligjor, pasi ka pastruar trupin e viktimës ka konstatuar se në krahun e majtë në pjesën e brinjëve kishe disa saçme të lëshuara nga një çifte gjahu. Pasi është bërë autopsia e plotë, ka rezultuar se viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e vrasjes me armë gjahu dhe jo nga asfiksia”, bëri të ditur zëdhënësi i policisë së qarkut, Gentian Mullai. Sipas tij, në vijim të hetimeve intensive për zbulimin e autorit të këtij krimi janë shoqëruar mbi 15 shtetas të dyshuar si autorë apo si persona që kanë dijeni për ngjarjen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut.


 


Identifikimi i autorit


Gjatë hetimeve policia mundi të sigurojë prova dhe zbardhi plotësisht këtë ngjarje. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se autor i kësaj vrasjeje të maskuar si aksidentale qëndron shtetasi Xhevat Dudumi, i datëlindjes 1993, lindur dhe banues në Gjirokastër. Mësohet se rreth orës 18:00 të datës 25 gusht 2012, viktima e këtij krimi Haki Manaj ka debatuar për punë kullote me shtetasin Xhevat Dudumi dhe më pas ky i fundit ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të bariut duke e goditur në pjesën poshtë brinjëve dhe duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burimet policore bënë të ditur se autori i dyshuar i vrasjes, Dudumi, pas vrasjes e ka mbështjellë me plastmas trupin e viktimës dhe e ka transportuar në një kullotë pranë vendit të vrasjes dhe aty i ka vënë zjarrin barërave dhe ferrave me qëllim humbjen e gjurmëve duke menduar se viktima do digjej plotësisht nga zjarri.


Rreth orës 05:00 të mëngjesit, pas përfundimit të ekspertizës dhe hetimeve paraprake, policia ka mundur të dokumentojë me prova ligjore autorësinë e kësaj vrasjeje duke mundur të gjejë dhe sekuestrojë më cilësinë e provës materiale edhe armën e krimit. Menjëherë është bërë edhe arrestimi i të dyshuarit për vrasje Xhevat Dudumi me akuzën për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Ëngjëll Serjani


 


Debatet – Mësohet se rreth orës 18:00 të datës 25 gusht 2012, viktima e këtij krimi Haki Manaj ka debatuar për punë kullote me shtetasin Xhevat Dudumi


Vrasja – Pas konfliktit, Dudumi ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të bariut duke e goditur në pjesën poshtë brinjëve dhe duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme


Fshehja – Pas vrasjes e ka mbështjellë me plastmas trupin e viktimës dhe e ka transportuar në një kullotë pranë vendit të ngjarjes dhe aty i ka vënë zjarrin, për të humbur gjurmët