Punimet e Kongresit të Gruas Socialiste dhe ku do të zgjidhet kryetarja e re e këtij forumi, kanë mbledhur qindra gra dhe vajza paraditen e sotme në sallën e Pallatit të Kongreseve. Kongresi do të miratojë statusin e Forumit të Gruas, si dhe do të zgjedhë strukturat drejtuese për t’i hapur rrugën më pas veprimtarive intensive dhe kontributit aktiv të grave dhe vajzave për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013.
Kongresi është përshëndetur edhe nga kreu i PS, Edi Rama i cili vlerësoi organizmin e këtij kongresi si një nga ngjarjet më të rëndësishme të PS, duke u ndalur në fjalimet e grave pjesëmarrëse, të cilat sipas tij janë më të bukurit që kishte dëgjuar ndonjëherë në ndonjë mbledhje partie, brenda të cilëve ka ëndrra dhe shpresa që rrallë i gjen në fjalimet e burrave.
Më tej Rama ka bërë një pasqyrim të gjendej së vendit, duke theksuar se mirëqenia e shqiptarëve ka rënë dukshëm gjatë këtij viti, se familjet shqiptare këtë vit kanë blerë 5 herë më pak se 5 vitet e fundit dhe kjo ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes. “Është misioni ynë që t’u ngremë kokën njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Jemi udhërrëfyesit për një rilindje shqiptare, për shërbime të reja”, theksoi kreu i PS.
Rama shprehu besimin se viti i ardhshëm do t’i hapë rrugë misionit të PS për një rilindje shqiptare, që nënkupton një dalje nga gjendja ku ndodhet sot.
“2013 do të jetë viti që do të çelë rrugën për rilindje, punësim real, shërbimeve sipas nevojës, jo sipas xhepit, zhvillimit të qëndrueshëm të fshatit”, – tha Rama.
Kreu socialist iu referua edhe grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, për të cilën theksoi se nuk është absolutisht një grevë politike, por një grevë për bukën e gojës. Ai i bëri thirrje kryeministrit të vendit që të tregohet burrë dhe t’i japë fund asaj greve, të mos i braktis ish të përndjekurit që e kanë mbështetur gjithmonë.
20 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)