Partia Republikane mblodhi mesditën e sotme Konventën Kombëtare, ku përveç zgjedhjes së asamblesë është diskutuar edhe lidhur strategjinë që do të ndiqet gjatë fushatës elektorale. Kryetari i PR-së Fatmir Mediu theksoi gjatë fjalës së tij se koalicioni i djathtë do të jetë fituesi i zgjedhjeve të 23 qershorit. Duke iu referuar deklaratës që kryeministri i vendit Sali Berisha bëri një ditë më parë për bashkim të së djathtës me qëllim fitoren e zgjedhje parlamentare të 23 qershorit, Mediu kërkoi që të merren për bazë votat e elektoratit të PR-së si parti e dytë më e madhe në mazhorancë.
“KQZ është komision politik, pasi dhe dorëheqja e anëtarëve socialistë siç thekson qëndrimin politik. Ne kemi kërkuar vetëm zbatimin e ligjit që të jemi në proces zgjedhor dhe të administrojmë votën. Berisha foli dje për koalicionin e së djathtës, ne kemi qenë gjithmonë pro këtij projekti, por koalicionet duhet të zbatohen në suksesin e përbashkët jo me pazar, ne kemi kërkuar analizën e zgjedhjeve të 2009. Ne jemi partia e dytë më e madhe e së djathtës. Asnjë nga ne nuk ka të drejtë ta lë peng përfaqësimin e PR për çdo lloj koalicionit. Pa një bashkëpunim të mirë të së djathtës dhe vizion të përbashkët kjo fushatë do bëhej e vështirë. Thirrje për PD dhe partitë e djathta, koncepti i koalicioneve mbi atë çka kanë dhënë votuesit”,- tha Mediu.
Mediu akuzoi opozitën se për shkak të bllokimit të saj u mohoi shqiptarëve integrimin në BE, teksa u sa i takon çështjes Çame, tha se duhet një koherencë politike. “Humbëm mundësinë për shqiptarët; jo për Berishën, jo për qeverinë, për shqiptarët, sepse do të ishim një hap pranë BE-së, do të garantonim me qindra milionë euro që do të shkonin në favor të familjeve shqiptare, sidomos në këtë moment të vështirë ekonomik. Tani që është shumë vonë, për një interes politik krejt personal, të pushtetit, zoti Rama është gati t’i votojë ato së bashku me zotin Meta, vetëm të garantojë numrat për pushtetin e ardhshëm. Kjo është një hipokrizi me vetë shqiptarët, me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar”,-tha ai.
21 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)