I riu është i dyshuari kryesor për vrasjen e rojës së kazinosë, 58 vjeçarit Et’Hem Hëna
Gjykata e Rrethit Korçë dha ditën e sotme masën e sigurisë arrest me burg për 35-vjeçarin Edison Kordalli, i dyshuari si autori i vrasjes së Et’Hem Hënës. Seanaca e dhënie së vendimit është shoqëruar me kundërshtimin e vazhdueshëm nga ana e familjarëve të 35 vjeçarit, të cilët nuk e pranojnë akuzën se djali i tyre ka vrarë 58- vjeçarin Hëna dhe kanë shkaktuar incident në gjykatë, duke u përleshur me familjarët e viktimës dhe policët në sallë.
58-vjeçari Hëna u vra me armë zjarri në kazinonë e djalit të tij, ku punonte si roje, një javë më parë, në fshatin Vloçisht të Korçës. Sipas policisë, i pandehuri Kordalli ka qëlluar për vdekje ndaj 58 vjeçarit Hëna pasi kishte humbur një shumë të konsiderueshme parash në lojërat e fatit.
Arrestimi i Kordallit u bë disa orë pas kryerjes së krimit dhe tashmë mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje, por ai në asnjë moment nuk e ka pranuar akuzën dhe është shprehur se nuk kishte asnjë motiv për të vrarë 58 vjeçarin, me djalin e të cilit ishte shok i ngushtë.
Por sipas policisë, autori i krimit ka qenë frekuentues i rregullt i lojërave të fatit dhe vetëm gjate muajit tetor ka humbur në këtë lokal një shumë prej 1.5 mln lekësh të vjetra gjë që mendohet të jetë bërë shkak i vrasjes.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)