Kuvendi i Kosovës ka nisur një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që fletarrestet serbe për qytetarët e Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se flet arrestet serbe për qytetarët e Republikës së Kosovës janë plotësisht të paligjshme, janë të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe proceset më gjerë”, tha ai.
Gjithashtu, Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetent të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.
“Po ashtu dëshiroj t’iu njoftoj se me të kuptuar lajmin për ndalimin e zotit Haradinaj gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim dhe janë angazhuar me përkushtim të plotë për të kontribuar në çdo formë në lirim sa më të shpejtë të z. Haradinaj në mënyrë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë”, tha Mustafa.
Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e zotit Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të “papranueshme dhe të pakuptueshme”.
Seanca u mbajt vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të zotit Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që “e mundësojnë lirimin e menjëhershëm”.
Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, siç thuhet, “paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.
10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)