Disa minuta pasi forcat speciale në Kosovë kishin rrethuar selinë e Vetëvendosjes eshte arrestuar lideri historik i kesaj levizjeje, Albin Kurti.
Ish-kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti është arrestuar nga Policia e Kosovës një orë pasi foli në tubimin e opozitës të zhvilluar në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Më herët policia kishte lëshuar një urdhër-arresti për Kurtin.
Veç tij, policia shoqëroi edhe 87 aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët ndodheshin në selinë e lëvizjes në momentin e bastisjes nga forcat speciale.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga policia të lirojë rrugën
Rreth 60 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë duke qëndruar në rrugën Luan Haradinaj, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe disa dhjetëra aktivistëve të tjerë të kësaj lëvizjeje.
Në mesin e protestuesve është edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe nënkryetari i kësaj komune, Dardan Sejdiu, të dy nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët janë duke komunikuar me pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Ata kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të largohet dhe të lirojë rrugën ‘Luan Haradinaj’, e cila është bllokuar nga policia pas arrestimit të Kurtit.
28 nëntor 2015 (gazeta-Shqip.com)