Njazi Kosovrasti, përmes një deklarate për mediat ditën e sotme, ka sqaruar incidentin e djeshëm në bashkinë e Tiranës, ku këshilltarët e majtë, tashmë shumicë në këtë bashki, përmes një mbledhjeje të mbajtur në paradhomën e këshillit bashkiak (duke qenë se dyert e këtij këshilli ishin mbyllur dhe iu ishin ndërruar bravat), e shkarkuan atë nga posti i kryetarit të këshillit bashkiak me 31 vota duke zgjedhur në vend të tij, po me 31 vota Aldrin Dalipin.
Kosovrasti e cilësoi këtë një ngjarje të shëmtuar dhe të paligjshme, që nuk ka lidhje me një mbledhje të këshillit bashkiak pasi sipas tij ishte vetëm një grumbullim i paligjshëm i qytetarëve.
“Ngjarja ishte e shëmtuar. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për një mbledhje të këshillit bashkiak, por kemi të bëjmë me një grumbullim të paligjshëm i qytetarëve. Nuk është fjala aspak për një vendim, por një deklaratë që këshilltarët e majtë e kanë firmosur atje. Më mirë ta firmosnin tek selia e PS, kot u lodhën që erdhën deri te bashkia”, u shpreh Kosovrasti.
Më tej Kosovrasti deklaroi se është bërë gati një padi ndaj sekretarit të këshillit bashkiak për dhunën e ushtruar në një institucion siç është bashkia Tiranë, ndërsa nuk preferoi të bënte asnjë koment lidhur me kërkesën që anëtarët e majtë të këshillit bashkiak të Tiranës kishin depozituar për mbledhjen të tij apo për faktin se kur do të zhvillohej mbledhja e radhë në këshillin bashkiak të bashkisë më të madhe në vend.
4 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)