Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot simpoziumin “Kostandini, 1700 Vjetori i Ediktit të Milanos dhe Liria Fetare”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë. Sipas Berishës Edikti i Milanos, përbën një akt hyjnor tokësor, të denjë për një kapitull të artë në të gjithë librat e shenjtë të njerëzimit.
Më tej, Berisha u shpreh se Kostandini i gjithëfuqishëm në tokë përdori pushtetin e tij për të garantuar lirinë e besimit.
“Thelbin e Ediktit të Tij do ta gjente këtu në Shqipëri më bukur se kudo, të mishëruar në moralin e qytetarëve të këtij vendi me besime të ndryshme fetare, me respektin dhe tolerancën e përsosur fetare. Ato ishin kohëra të masakrave të paimagjinueshme kundër të krishterëve, vetëm për bindjet e tyre fetare, por nuk mund të thuash kurrë se besimet i kanë frymëzuar apo kanë nxitur ato. Keqpërdorimi i tyre është përdorur si motiv për të zhdukur njeri-tjetrin. Kjo është e vërteta.
Kjo ishte e vërtetë në Luftën e II-të Botërore. Ajo që ndodhi me hebrenjtë përbën barbarinë më të madhe të regjistruar në analet e historinë, por ajo nuk ndodhi në vitin 1500, as në vitin 700, ndodhi në vitin 1900, ndodhi në shekullin XX. Nuk është e largët as Srebrenica, nuk janë të largëta as akte të tjera. Ndaj dhe Edikti është dhe mbetet gjithnjë frymëzues, është dhe mbetet gjithmonë aktual, është dhe mbetet gjithmonë themel i paqes sociale të kombeve, të rajoneve dhe të botës”, tha Berisha.
27 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)