Reagon Ministria e Punëve të Jashtme greke: Deklarata e Ramës, e papranueshme
Herion Mesi
Një ditë para se ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, të mbërrijë sot në Tiranë në kuadër të vizitës së tij dyditore në vendin tonë, Athina Zyrtare i është kundërpërgjigjur qëndrimit të mbajtur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me çështjen çame dhe ligjin e luftës me vendin fqinj. Lidhur me atë çka pritet të diskutohet gjatë vizitës, mediat në Tiranë dhe Athinë shkruajnë se palët kanë përgatitur paketat e tyre të propozimeve. Ndër to janë çështja e kufirit detar mes dy vendeve, të drejtat e minoritetit grek, ndërtimi i tre varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar, heqja e ligjit të luftës mes dy vendeve, si dhe mundësia e njohjes së pavarësisë së Kosovë. Ndërkaq, mbrojtësit e Çështjes Çame në Shqipëri, po këmbëngulin gjithnjë e më shumë në vendosjen e saj në axhendën e bisedimeve.
Deklarata e MPJ-së greke
Paraditen e djeshme, Ministria e Jashtme greke ka reaguar pas deklaratave të së shtunës të bëra nga Kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit të PDIU-së, lidhur me Çështjen Çame. Diplomacia greke i cilëson të papranueshme qëndrimet të cilat sipas Athinës Zyrtare ngrenë çështje inekzistente. Ministria e Punëve të Jashtme greke i ka cilësuar deklaratat e Ramës të papranueshme. Duke marrë shkas nga këto deklarata, MPJ greke pohoi që Shqipëria të mos ngrejë çështje jo ekzistente. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit fqinj theksoi se vendi ynë duhet të plotësojë 5 prioritetet kyçe. “Shqipëria duhet të kuptojë se rruga e saj për në Bashkimin Europian varet nga zbatimi me përpikëri i pesë prioriteteve kyçe, mes të cilave bën pjesë reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit. Kjo presupozon se duhet të respektojë vendimet e gjykatave, veçanërisht kur kanë të bëjnë me krime lufte dhe në vend që të ngrejë çështje joekzistente, të zbatojë kushtet dhe të mbrojë të drejtat e Minoritetit Kombëtar Grek. Kultura politike e nevojshme mes fqinjëve parashikon seriozitet, por dhe vizionin e nevojshëm për të vazhduar marrëdhëniet që nuk do të cenohen nga deformimi me dashje ose jo i fakteve historike, por do të bazohen në ndërtimin e një të ardhmeje që siguron progres të konsiderueshëm në marrëdhëniet bilaterale dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
Deklarata e Ramës
Gjatë fjalës së tij në Kongresin e PDIU-së, Kryeministri Edi Rama teksa u ndal te marrëdhëniet me shtetin fqinj pohoi se po mundohen të heqin ligjin e luftës. Ndër të tjera, Rama tha se gara me mitet nuk i ka sjellë asnjë të mirë fqinjësisë së vendeve, dhe se kjo garë i përket së shkuarës. Sipas Ramës, vendit i duhet një patriotizëm modern. “Palës tonë i ka mjaftuar në gjithë këto vite: Po ç’rëndësi ka, ai ligj është kot. Ne jemi miq, kemi traktatin e miqësisë. Por, po të jetë kot, çfarë na kushton ta heqim? Dhe ne e kemi kusht. Për të çuar në një fazë të re marrëdhëniet me Greqinë, për të cilat jemi shumë të interesuar, heqjen e ligjit të luftës”, u shpreh Kryeministri Rama. Ndërsa lidhur me Çështjen Çame, Kryeministri Rama tha se zgjidhja e saj është thjesht çështje kohe. “Qeveria jonë do ta mbështesë fuqimisht me rrugë ligjore Çështjen Çame dhe gjithçka që kam deklaruar këtu sot. “Çështja çame është vetëm çështje kohe”, tha Rama vetëm 2 ditë para vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë.
Axhenda e Kotzias
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, mbërrin të hënën për një vizitë të paralajmëruar prej kohësh në Shqipëri. Sipas axhendës së bërë publike, zotit Kotzias do të pritet nga homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati, pas bisedimeve dypalëshe me të cilin do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministri i Jashtëm grek do të pritet edhe nga Presidenti Nishani, si dhe kryepeshkopi Anastas. Një moment i rëndësishëm i vizitës do të jetë një aktivitet në Universitetin e Tiranës, ku shefat e diplomacisë të të dyja vendeve Kotzias dhe Bushati, do të flasin para studentëve lidhur me rëndësinë e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, në të ardhmen e rajonit të Ballkanit. Aktiviteti i organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës me temë: “Mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke për të ardhmen europiane të rajonit”, do të zhvillohet në Godinën Liria – Aula Magna, të Qytetit Studenti. Në përfundim të panelit të parë të diskutimeve, të dy ministrave, do të ketë dhe një panel të dytë diskutimi me akademikë shqiptarë dhe grekë. Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri zoti Kotzias do të pritet edhe nga Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha. Ndërsa vizita e tij përfundon me një takim me përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri. Vizita e Kotzias në Tiranë është përgatitur nga Ministria greke me një paketë propozimesh ndaj palës shqiptare mbi çështjet dypalëshe, me synimin kryesor zgjidhjen njëherë e mirë të marrëveshjes së detit. Midis të tjerash, në këtë vizitë pritet një rinovim i Marrëveshjes së Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së mirë, e nënshkruar në 1996n.
Marrëveshja e detit
Tiranë-Athinë, komision të përbashkët për rivlerësimin e marrëveshjes
Një vit më parë, Shqipëria dhe Greqia bënë një hap përpara lidhur me çështjen aq të debatuar të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve. Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, ai shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, në 15 korrik të vitit të kaluar ranë dakord që ekspertë të përbashkët të bëjnë një rivlerësim teknik të çështjes, duke hapur në këtë mënyrë një proces e duke dalë nga pozicionet e deritanishme deklarative. Mes të dyja vendeve ka një këndvështrim të ndryshëm për këtë temë e cila zvarritet prej vitesh që kur në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese shqiptare rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë mes dy qeverive. Pala greke gjithnjë ka këmbëngulur se teksti i asaj marrëveshjeje duhej respektuar, duke pranuar vetëm disa ndryshime teknike. Ndërkohë që palës shqiptare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i lë hapësira veprimi mbi dokumentin e vjetër. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati do të shprehej në atë kohë se “ne duam një zgjidhje që të vijë nga ekspertët për të pasur një reflektim më të thellë për adresimin e kësaj çështjeje. Në rast se nga një punë e gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion të përshtatshëm, e drejta ndërkombëtare na orienton drejt mekanizmave që mund të na japin një zgjidhje definitive. Ne kemi një interes strategjik për ta zgjidhur, si ne dhe Greqia, se kemi ekonomi detare që duam ta eksplorojmë dhe zhvillojmë, kemi konceptet e BE-së për makrorajonet. Dhe nuk e kemi menduar asnjëherë që mund të ketë zgjidhje të njëanshme për këtë çështje. Greqia, ashtu si ne, respekton parimet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe kërkon një marrëveshje të pranuar dhe të rakorduar me ne”, deklaroi Bushati.