Votohet me 7 vota pro për shpërblimet e komisionerëve, shtyhet struktura e administratës


Procedura për teknologjinë e re në zgjedhje do të aplikohet me procedurë tenderimi të mbyllur dhe pa fond limit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me 7 vota pro miratimin e procedurës “negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës, pa fond limit”, që do të përdoret për zgjedhjen e shoqërive që do të realizojnë: a) Projektin për numërimin dhe vlerësimin e votave nëpërmjet sistemit elektronik të numërimit (SEN); dhe


b. Projektin për përdorimin e teknologjisë së verifikimit (SEV) dhe regjistrimit të pjesëmarrjes se zgjedhësve në ditën e votimit. Deri më 30 janar të 2013-s, parashikohet tenderimi për dy projektet e parashikuara, teknologji që aplikohet për herë të parë në zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 7 vota pro, projektvendimin “Për përcaktimin e masës së shpërblimit për anëtarët e KZAZ-së, KQV-së dhe GNV-ve për Zgjedhjet e datës 23 qershor”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me propozim të partive politike, PD-ja dhe PS-ja, vendosi t’i shtyjë për mbledhjen e ardhshme dy pikat e rendit të ditës, të cilat ishin parashikuar për mbledhjen e djeshme. Dy projektvendimet të cilat u shtynë, janë: “Shqyrtimi i projektvendimit: Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 26, datë 03.03.2005 ‘Për miratimin e Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e KQZ-së’, si dhe projektvendimi ‘Për miratimin e strukturës organike he strukturën e pagave të punonjësve të administratës së KQZ-së’”. Vendimet e KQZ-së janë marrë me 7 vota pro të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimin për “Miratimin e rregullave të veçanta për kushtet e kontratës dhe kryerjen e auditimit nga auditët teknicienë për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të regjistrit kombëtar të gjendjes civile (RKGJC) dhe në sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV)”. Ky projektvendim, i cili kërkonte shumicë të cilësuar, u miratua me 7 vota pro. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 61 të Kodit Zgjedhor, emëroi më 7 vota pro dy auditët teknicienë, z. Genti Malko i propozuar nga kryetarja e KQZ-së, dhe z. Dashamir Çali, i propozuar nga zëvendëskryetari i KQZ-së. Dy teknicienët do të kenë akses në sistemin elektronik dhe në bazën e të dhënave të regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile. Sipas aktit të administratës së KQZ-së, propozohet që kryetari i ZAZ-së të përfitojë shpërblimin prej 65 mijë lekësh për periudhën nga ngritja e këtij komisioni deri në përfundimin e zgjedhjeve. 60 mijë lekë për anëtarët e ZAZ-ve dhe sekretarin. Po sipas këtij drafti, për kryetarin dhe sekretarin e KQV-së propozohet shpërblimi 40 mijë lekë, ndërsa për anëtarët shuma 35 mijë lekë. B.HOTI


 


7 vota


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me 7 vota pro aktet e paraqitura për shqyrtim