Kërkesa do të depozitohet në Gjykatë Kushtetuese në 3 janar 2013. Reagon AKIP


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për zhvillimin e referendumit kundër importit të plehrave, i iniciuar nga Aleanca Kundër Importimit të Plehrave (AKIP). Por ndryshe nga sa është kërkuar nga AKIP dhe përfaqësuesit e PS-së, kërkesa do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese vetëm në 3 janar të vitit 2013. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, e cila ka zgjatur rreth 3 orë, është diskutuar sërish për vërtetësinë e firmave. Në fillim të mbledhjes përfaqësuesi i grupit nismëtar të AKIP, Lavdosh Feruni, ka kërkuar nga KQZ të marrë në konsideratë 50 mijë firmat e mbledhura, të vlerësuara si vlefshme për të dhënë miratimin për referendumin. Ndërsa anëtari i djathtë në KQZ-së, Njazi Kosovrasti, ka propozuar që të hetohet më thellësisht rreth firmave që kanë nënshkruar dokumentin për mbledhjen e firmave për Referendum. Por KQZ pasi e ka kaluar në votë, e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.

Më pas debatet janë përqendruar në përcaktimin e afatit kohorë se kur do të depozitohet kërkesa në Gjykatë Kushtetuese. Ndryshe nga sa është kërkuar nga AKIP dhe të majtët, me shumicë votash të djathtët kanë përcaktuar datën 3 janar 2013. Pas vendimit, AKIP ka reaguar duke e konsideruar vendimin e KQZ-së si “një farsë për të lënë në sirtar këtë kërkesë deri në janar të vitit 2013”. Më 14  mars të këtij viti, Aleanca Kundër Importimit të Plehrave, depozitoi një kërkesë të firmosur nga 64 mijë qytetarë, për mbajtjen e një referendumi për shfuqizimin e një pjese të ligjit “Për menaxhimin e integruar për mbetjet”. Sipas AKIP, dy nene të këtij ligji (22 dhe 49) lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar. KQZ-së iu deshën më tepër se tre muaj për të verifikuar vërtetësinë e firmave, madje tejkaloi afatet ligjore për dhënien e një vendimi.


28 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)