Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për të premten, më 23 nëntor miratimin e  projektvendimit për ndarjen e mandateve të zonave elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ky vendim erdhi pas kërkesë së përfaqësuesve të PS në KQZ, të cilët kërkuan të kishin informacion më të detajuar nga Drejtoria e Gjendjes Civile lidhur me lëvizjet dhe mbi gjendjen aktuale të popullsisë në çdo njësi vendore.


Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Gjonçaj iu referua veçanërisht 4 komunave të qarkut të Kukësit, ku sipas tij vihet re një rritje e palogjikshme e popullsisë.


Reagimi i përfaqësuesit të PD, Njazi Kosovrasti ishte i menjëhershëm duke e cilësuar si mosbesues qëndrimin e opozitës, ndërkohë që sipas tij, të dhënat mund të konfirmoheshin fare lehtë prej tyre duke qenë se janë servirur nga Drejtoria e Gjendjes Civile dhe për çdo dyshim opozita mund të verifikojë në regjistrin kombëtar të zgjedhësve. Mbledhja e sotme e KQZ kishte në rend të ditës “Shqyrtimin e Projekt-vendimit: ‘Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të vitit 2013’”. Harta e rishpërndarjes së mandateve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të ketë një konfigurim të ri, në varësi edhe të lëvizjes së popullsisë.


Rishpërndarja e mandateve për zonat zgjedhore në 2013 sjell një tkurrje të numrit të mandateve (-1) për qarkun e Korçës dhe Beratit dhe shtim të numrit të mandateve (+1) për qarkun e Tiranë dhe Durrësit.


Konfigurimi i hartës elektorale për 12 qarqet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të jetë si më poshtë: 


Zona zgjedhore Qarku Berat                          7            mandate


Zona zgjedhore Qarku Dibër                          6            mandate


Zona zgjedhore Qarku Durrës                     14           mandate


Zona zgjedhore Qarku Elbasan                   14           mandate


Zona zgjedhore Qarku Fier                           16           mandate


Zona zgjedhore Qarku Gjirokastër              5            mandate


Zona zgjedhore Qarku Korçë                       11           mandate


Zona zgjedhore Qarku Kukës                        4            mandate


Zona zgjedhore Qarku Lezhë                         7            mandate


Zona zgjedhore qarku Shkodër                  11           mandate


Zona zgjedhore Qarku Tiranë                      33           mandate


Zona zgjedhore Qarku Vlorë                        12           mandate


21 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)