Të gjitha aktet që kërkojnë detyrimisht pesë vota që të miratohen


BLEDAR HOTI


KQZMungesa e anëtarëve të KQZ-së ka sjellë tejkalimin e disa afateve të parashikuara për marrjen e akteve dhe udhëzimeve që kërkojnë 5 votat e anëtarëve. Çështja kryesore lidhet me faktin e moshedhjes së shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve në fletën e votimit. Një akt i tillë që kërkon 5 vota duhej të merrej që me datën 23 mars. Tani që i gjithë procesi i regjistrimit të partive politike është mbyllur, KQZ-së i duhej që të shqyrtojë një akt të tillë përpara se të marrë një vendim për fletën e votimit, për shtypjen e prodhimit të tyre. Një tjetër akt i mbetur pezull është ai për projektin e USAID-it për nxjerrjen e rezultateve paraprake të 23 qershorit. Ky projekt në mbështetje të koalicionit të vëzhguesve vendorë u lançua në 28 mars, ku mori mbështetjen dhe të kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi, por nuk është votuar ende, pasi më parë kërkon një marrëveshje të posaçme dhe më pas një votim me 5 vota të anëtarëve të KQZ-së.


Ndihma prej më shumë se 1 milion dollarë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara do të përqendrohet në tri aspekte kryesore: asistencë teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); promovim i vëzhgimit vendor zgjedhor; inkurajim për përfshirjen qytetare në procesin elektoral. Ndërkohë që po me 5 vota do të votohen dhe aktet e tjera si për shembull për përcaktimin e kontablistëve që do të hetojnë mënyrën e përdorimit të fondeve të partive politike për fushatën elektorale. Akte të tjera përcaktimi i procedurës së rregullave për dy projektet SEN dhe SEV për numërimin elektronik në Qarkun e Fierit dhe identifikimin e zgjedhësve në Qarkun e Tiranës. Rregullorja e KQZ-së është një çështje që kërkon pesë vota, por që nuk u miratua ende nga KQZ-ja aktuale.


KQZ do shqyrtojë aktin e fletës


Pavarësisht mospasjes së një vendimi me pesë vota për mënyrën e hedhjes së shortit të renditjes së partive, KQZ-ja ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë aktin e renditjes së fletëve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 17.05.2013, ora 18:00 do të zhvillojë mbledhjen e tij të radhës, ku ndër të tjera do të shqyrtojë dhe projektaktin: “Për hedhjen e shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve zgjedhore dhe miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 qershor 2013, për çdo zonë zgjedhore. Çdo subjekt zgjedhor, i cili ka depozituar listat shumemërore të kandidatëve për deputetë, të cilat janë miratuar me vendim të KQZ-së, duhet të sigurojnë prezencën e përfaqësuesit të tij ligjor në shortin që do të zhvillohet në mbledhjen e nesërme të KQZ-së”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për median. KQZ-ja pritet të shqyrtojë sot dhe listën e vëzhguesve të OSBE-së dhe ODIHR-it. Gjithashtu, do të shqyrtojë dhe raportin mbi realizimin e provës së testit të datës 13 prill 2013, lidhur me projektin e Sistemit Elektronik të Numërimit, SEN. Për këtë testim të parë, i cili parashikohet për Qarkun e Fierit, opozita ka shfaqur kontestimet e saj, duke kërkuar mosaplikimin e kësaj teknologjie.


 


Tabela


Aktet që duan 5 votat e anëtarëve


-Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të ekspertëve kontabilistë, jo më vonë se 23 marsi 2013


-Për miratimin e rregullave për hedhjen e shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve në fletën e votimit jo më vonë se 23 marsi


-Akt për mbledhjen, administrimin dhe publikimin elektronik të informacionit për rezultatet paraprake të zgjedhësve(/Projekt i USAID, Udhëzim)


-Akti Për miratimin e rregullave në VNV, përdorimin dhe administrimin


-Akti për miratimin e rregullave për verifikimin e saktësisë së SEN në VNV, përdorimin e administrimin e SEN, procedurat e numërimit, vlerësimit të fletëve të votimit nga SEN, si dhe për marrjen e rezultatit dhe administrimin e çdo të dhëne të prodhuar nga SEN


-Për miratimin e procedurave e rregullave të funksionimit të teknologjisë së SEV, mënyra e komunikimit me njësinë qendrore informatike, formati i raportimit


-Rregullorja e KQZ-së