Menjëherë pas publikimit të dështimit të testit të parë të kartave, reagon institucioni
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur dje, se edhe pse ka dështuar prova e parë e projektit elektronik të kontrollit të kartave të identitetit, nuk do të mund të ndodhë që një zgjedhës të votojë më shumë se një herë. Sipas KQZ-së, kjo garantohet nga listat e votuesve që i ka përgatitur Ministria e Brendshme. “Bazuar në nenin 44, pika dh, ‘kriteret për përfshirjen e një personi në listën e zgjedhësve…’ të regjistrohen zgjedhës në listën e vetëm një zone qendre votimi, çka do të thotë që Komisioni i Qendrës së Votimit bën verifikimin e emrit në listën e zgjedhësve dhe vetëm pas konfirmimit sipas procedurës së përcaktuar në nenin 105 të Kodit Zgjedhor ‘Për paraqitjen e zgjedhësit në qendrën e votimit’, lejohet kryerja e votimit”, deklaroi KQZ-ja, që gjithsesi bëri të ditur se ende do të bëhet një provë e radhës për funksionimin e teknologjisë për kontrollin e kartave. “Referuar Shtojcës III, seksionit 4, pika 2 e Kodit Zgjedhor, përcaktohet se pas hedhjes së të dhënave nga pajisjet e leximit të qendrave të votimit në KQZ, njësia qendrore prodhon një raport nëse rezulton një e dhënë nga i njëjti dokument që është regjistruar më shumë se një herë si dhe gjeneron raporte specifike në lidhje me to. Ky proces do të kryhet në një kohë të shkurtër. Theksojmë se Kodi përcakton se qëllimi i përdorimit të SEV është verifikimi dhe regjistrimi i pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit (Shtojca III, seksioni 1, pika 1). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën me dije të gjithë mediave, të shkruara dhe audiovizive, se testi zyrtar dhe publik i Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV), është parashikuar të realizohet në javën e parë të muajit qershor”, theksohet në sqarimin për media të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Projekti pilot që do të kryhet vetëm në Qarkun e Tiranës, do të mundësohet nga kompania spanjolle “Indra”, e njëjta e numërimit elektronik. Testi i parë kaloi jo pa probleme. Një person mund të votojë dy herë në dy qendra votimi të ndryshme me dy dokumente identifikimi të ndryshme, kartë ose pasaportë dhe të identifikohet vetëm pas 48 orësh. Ndonëse individi do të mbajë përgjegjësi penale, vota e tij e dytë dhe e paligjshme, vështirë se mund të gjendet në kuti. KQZ-ja u lë 5 ditë kohë pas shpalljes së rezultatit partive të ankimojnë parregullsi të tilla.