Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi parimisht aktin për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme legjislative.


Projekt-vendimi që kërkonte shumicën e cilësuar të votave të anëtarëve të KQZ-së nuk u votua nga anëtarët. Sipas dy anëtarëve që kundërshtuan aktin, Albana Shtylla dhe nënkryetarin Denar Biba, Ministria e Brendshme nuk u dorëzoi materialin e kërkuar në letrën e dërguar këtij institucioni. Zoti Biba tha se KQZ mund të marrë të dhënat individuale si institucion me një kërkesë pran MB-së.


Por për Vera Shtjefnin, Ministria e Brendshme në sqarimin e saj ka deklaruar se të dhënat për numrin e votuesve janë të marra korrektësisht nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile në datën e kërkuar nga letra dërguar për ministrinë.


Megjithatë, sqarimi i Ministrisë së Brendshme se të dhënat janë korrekte, nuk ka bindur dy anëtarët, Denar Biba dhe Albana Shtylla, sipas të cilëve ministria duhet t’u kishte vënë në dispozicion të dhëna më të detajuara rreth numrit të banorëve dhe votuesve në zonat e kërkuara.


Partia Socialiste, në ditët e fundit po akuzon autoritetet shtetërore për përpjekje të manipulimit të situatës demografike në disa qarqe të vendit, çka mund të sjelle ripërcaktimin e numrit të mandateve që dalin nga këto zona zgjedhore.


Opozita thotë se në Kukës, mazhoranca do të shtojë një mandat pasi e shikon si bastion të saj dhe nga Gjirokastra, po mundohet të ulë numrin e votuesve, duke zbritur në një mandat më pak deputeti në këtë zonë.

23 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)