Kryeparlamentari i Kosovës ka kërkuar dhënien e një përgjigjeje mbarëshqiptare


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga të gjithë shqiptarët e Ballkanit që t’ju japin një përgjigje të përbashkët politike arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Serbi dhe Maqedoni. Kryeparlamentari Krasniqi u ka bërë thirrje dy shteteve fqinje, Serbisë dhe Maqedonisë, të tregohen të kujdesshëm me shqiptarët, pasi pozita e tyre nuk është e njëjta me atë të shekujve të kaluar. Në një prononcim për mediat kosovare, Krasniqi është shprehur se disa popuj nuk po mund të pajtohen me pozitën e avancuar të kombit shqiptar në Ballkan dhe po e mbajnë rajonin të trazuar. “Sigurisht se janë konfliktet e vjetra, janë ideologjitë nacionaliste dhe dominuese që ende janë në skenat politike në Ballkan. Këto ideologji dhe filozofi mitomaniste të dominimit, nuk po mund të pajtohen me realitetin e ri që është krijuar në Ballkan dhe s’po mund ta pranojnë një pozicion të avancuar që e ka kombi shqiptar në Ballkan”, ka thënë Krasniqi, duke u ndalur më tej në arrestimet në Maqedoni dhe Serbi, që sipas tij kanë për qëllim frikësimin e shqiptarëve. Për rrugëzgjidhje, kryeparlamentari kosovarë mendon dhënien e një përgjigjeje kombëtare dhe ndërkombëtare vendeve fqinje. “Konsideroj që edhe institucionet e Shqipërisë, edhe të Kosovës, por edhe të BE-së duhet të bëjnë diçka që ta sigurojnë dhe ta garantojnë jetën e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Ballkanit”, ka përfunduar Krasniqi.  6 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)