Dako: Ndalimi i mjeteve lundruese dëmton turizmin dhe ekonominë.


Krerët socialistë të 17 bashkive dhe komunave bregdetare kanë kërkuar shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve motorike lundruese, ligj ky që cenon ndjeshëm sektorin e turizmit. Krerët vendorë deklarojnë se shfrytëzimi i detit nuk është vetëm një mundësi më shumë për sigurimin e të ardhurave dhe argëtimin e pushuesve në det, po për shumë banorë të zonave bregdetare deti është i vetmi burim jetik dhe krenarie. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në një deklaratë për shtyp ka mbështetur amendimin e grupit parlamentar të PS-së për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve motorike lundruese që vazhdon të ndëshkojë vendin, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Në emër të kryetarëve të njësive vendore bregdetare të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Pogradecit, Himarës, Fierit, Lushnjës, Divjakës, Golemit, Ishmit, Ksamilit, Velipojës etj., Dako ftoi parlamentarët që të reflektojnë në vendimmarrjen e tyre për këtë çështje në interesin e shumicës së shqiptarëve që jetojnë në Ultësirën Perëndimore dhe të vendosin për zhvillimin ekonomik e turistik të vendit.


Deklarata


“Me përgjegjësi maksimale për të përfaqësuar denjësisht ata që na kanë votuar për t’u mbrojtur e avancuar interesat e aspiratat, ne, të zgjedhurit vendorë, përfaqësues të PS-së Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnjë, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh, Ksamil mbështesim amendimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve motorike lundruese, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë tona. Lëvizjet demografike kanë bërë që bashkitë dhe komunat tona të strehojnë rreth 2/3 e popullsisë, pa llogaritur bashkëkombësit kosovarë që përgjatë këtyre viteve janë orientuar drejt njësive tona. Kjo lëvizje është orientuar drejt nesh, për shkak të mundësive që ofron deti dhe është absurde që ne të vazhdojmë t’ua mbajmë atë të bllokuar. Shfrytëzimi i detit për banorët tanë nuk është thjesht një mundësi më shumë, por është burimi jetik e strategjik i tyre. Mohimi i shfrytëzimit të lirë të deteve tona jo vetëm që na ka dëmtuar ekonomikisht, por ka cenuar edhe krenarinë e banorëve tanë, të cilët ndër shekuj e kanë konsideruar detin simbol të lirisë. Në emër të qytetarëve tanë, ne u kërkojmë përfaqësuesve në Parlament të votojnë për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese e të bashkëpunojmë pa humbur kohë për të orientuar ekonomitë bregdetare drejt një rilindje aq të nevojshme për interesat e vendit. Shpresojmë që me pavarësinë e vendimmarrjes suaj të reflektoni interesin e shumicës së shqiptarëve që ne përfaqësojmë, por edhe vetëdijen tuaj për rëndësinë strategjike të detit si motor për zhvillimin turistik e ekonomik të zonave tona e të gjithë Shqipërisë.


 


Firmëtarët


Bashkia Durrës       Vangjush Dako


Bashkia Vlorë        Shpëtim Gjika


Bashkia Fier         Baftiar Zeqo


Bashkia Sarandë           Stefan Çipa


Bashkia Lushnjë           Fatos Tushe


Bashkia Divjakë           Fred Kokoneshi


Bashkia Pogradec          Artan Shkëmbi


Bashkia Himarë      Gjergji Goro


Bashkia Orikum      Gëzim Capo


Bashkia Kavajë      Elvis Roshi


Bashkia Konispol          Mimoza Arapi


 


Komuna Ishëm         Sulejman Ibrahimi


Komuna Golem         Agron Agalliu


Komuna Ksamil        Besnik Abedini


Komuna Shëngjin           Salvador Kaçaj


Komuna Velipojë           Pashko Ujka


Komuna Kryevidh     Fatos Kaja