Koalicioni – Sipas të gjitha gjasave, PD dhe LSI do të vijojnë të jenë bashkë në një koalicion për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Lëvizjet – Berisha aktivizon retorikën nacionaliste, ndërsa Meta kërkon vlerësimin e Hoxhës
Fatjona Mejdini
Festat – Demokratët janë të vendosur për të festuar çlirimin e vendit në datën 28 Nëntor. Të njëjtën gjë, drejtuesit e lartë të PD-së bënë dhe dy ditë më parë
Koalicioni qeveritar në këtë vit të 100 të përvjetorit të Shqipërisë ka përqafuar disa teza të reja, ato që lidhen me nacionalizimin, por edhe ato të ekstremizmit politik. Por diferenca është që këto teza janë ndarë mes partive përbërëse të koalicionit qeveritar. Kryeministri Berisha me deklaratat e tij të fundit për Shqipërinë etnike nga Preveza deri në Preshevë, ka bërë një hap drejt nacionalizimit në retorikën e tij politike, ndërsa nga ana tjetër, aleati i tij në qeveri, Ilir Meta, ka kërkuar që ish-diktatorit Enver Hoxha t’i shihen disa aspekte të “ndritura” të udhëheqjes së tij siç është dhe Lufta Nacional-Çlirimtare. Duket se këto teza të reja më shumë se një nevojë për të vlerësuar disa të aspekte për të shkuarën vijnë si një nevojë e zgjerimit të elektoratit votues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo taktikë duket se tentojë të krijojë dhe konfuzion te qytetarët votues në kushtet kur pjesa e rëndësishme e qeverisë po promovon ide të njëjta për nacionalizimin, ashtu si një pjesë e rëndësishme e partive në opozitë me qeverinë.
Deklaratat
Kryeministri Berisha ka vijuar dhe dje t’u përmbahet tezave se Shqipëria në fillimet e saj si shtet ka pasur një shtrirje rreth tri herë më të mëdha nga ajo që ka tani. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë, e bëri gjatë përurimit të rrugës “Kont Leopold Bertold”, e cila lidh bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”, në Tiranë. “Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze prej vitesh ishin të përcaktuara për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në Gadishullin e Ballkanit, në pjesën jugperëndimore të tij. Por momenti, aleanca ballkanike dhe faktorë të tjerë bënë të pamundur asokohe realizimin e këtij shteti të pavarur”, deklaroi Berisha, pavarësisht furtunës që deklarata të tilla kanë shkaktuar te grekët dhe fqinjët e tjerë. Një deklaratë surprizë bëri dje dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë vizitës në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Meta deklaroi se nuk duhet harruar kontributi i Partisë Komuniste në çlirimin e vendit. “Sepse shumica e këtyre dëshmorëve këtu kanë qenë komunistë”, theksoi kreu i LSI-së, duke theksuar këtu dhe rolin e Enver Hoxhës në historinë e vendit.
Analiza
Këto deklarata të forta nga dy drejtuesit kryesorë të mazhorancës duket se nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie për të përfshirë sa më shumë elektorat brenda koalicionit qeveritar. Deklaratat nacionaliste të Berishës duket se janë një strategji për të rivalizuar forca politike si Aleanca Kuq e Zi, e cila është një forcë opozitare me motive të forta nacionaliste që po krijon gjithmonë e më shumë mbështetës. Nga ana tjetër dhe deklaratat e Metës për rivlerësimin e kontributit të Enver Hoxhës, nuk ishin dhe aq të rastësishme. Kjo për shkak të profilit të së majtës drejt ekstremit që do të krijojë kjo parti për të marrë sa më shumë vota nga elektorati i cili në mënyrë tradicionale ka mbështetur të majtët. Me këtë strategji këto dy parti, të cilat do të jenë bashkë në një koalicion qeveritar, do të mundohen të mbledhin sa më shumë vota për t’i përfshirë në “shportën” e përbashkët elektorale. Nuk dihet sesa kjo strategji do të japë rezultate dhe sesi do të përkthehet ajo në vota.
Fushata – Qëndrimet drejt ekstremeve të krerëve të mazhorancës japin një tendencë të ndryshme se si do të fokusohet fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Debati tentohet të devijohet jo te problemet kryesore të vendit siç është funksionimi i demokracisë, ekonomia, apo problemet sociale, por çështjet historike dhe fjalori nacionalist. Berisha, siç duket, synon të marrë territor nga Aleanca Kuqezi, e cila synon të marrë vota kryesisht nga elektorati i djathtë
Konsekuencat – Deklaratat e Kryeministrit Berisha mund të kenë konsekuenca në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe kryesisht në çështjen e nxehtë që qëndron mes dy vendeve dhe që lidhet me ndarjen e kufirit ujor. Mes dy vendeve kjo çështje ka shumë vite që mbetet pezull dhe palët nuk arrijnë të marrin një vendim sesi do të vazhdohet për zgjidhjen e saj
PDIU
“Lufta antifashiste është një luftë heroike që e rreshtoi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, pavarësisht pse më vonë, u përdor nga politika”
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkujtoi dje më 29 Nëntor Festën e Dëshmorëve, pavarësisht se është një parti në koalicion me Partinë Demokratike. Përmes një deklarate për shtyp, kjo parti vlerësoi të gjithë ata të rinj dhe të reja që dhanë jetën për mbrojtjen e vendit. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkujton të gjithë dëshmorët që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë e nazistë, si një homazh që u bëhet burrave dhe grave të kombit që nuk nguruan të japin edhe jetën e tyre për të mirën e kombit. Lufta antifashiste është një luftë heroike që e rreshtoi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, pavarësisht pse më vonë, u përdor nga politika për vendosjen e diktaturës dhe për ricopëtimin e trojeve shqiptare. Çlirimi i Atdheut është një akt historik i rëndësishëm, që ua kemi borxh dëshmorëve dhe veteranëve të luftës”, theksohet në deklaratën e PDIU-së.
Meta
“Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte, nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos për sa i takon drejtimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare”
Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu si dhe vitet e tjera, ka përkujtuar dëshmorët e kombit më 29 Nëntor. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përfaqësues të LSI-së në qeveri dhe në Parlament, kanë vënë kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve, duke nderuar gjakun dhe sakrificën e të rënëve që më 29 Nëntor të vitit 1944 çliruan Shqipërinë nga pushtuesit nazifashistë. Në këtë aktivitet Meta ka bërë dhe deklaratën e fortë në favor të ish-diktatorit Enver Hoxha. “Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte, nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos për sa i takon drejtimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Megjithatë unë mendoj se nuk është detyrë e politikanëve për të bërë historinë, sepse politikanët kanë edhe interesat e tyre politike”, deklaroi Ilir Meta. Sipas tij, kur flasim për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare absolutisht që do ishte një kompleks që të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë.