Historiku


22 qershor 1991 – Sekretari i Shtetit, James Baker, zhvilloi një vizitë në Tiranë, që ishte vizita e parë e një zyrtari amerikan pas 50 vjetësh. Baker u prit nga një numër prej qindra mijë shqiptarësh në një miting në sheshin “Skënderbej”


20 shkurt 2000 – Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, vizitoi Tiranën pas një angazhimi titanik të Uashingtonit për të çliruar Kosovën nga pushtimi politik dhe ushtarak i regjimit të Millosheviçit


2 maj 2003 – Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Colin Powell, ka vizituar Tiranën në kuadër të firmosjes së Kartës së Adriatikut ndërmjet Uashingtonit, Tiranës, Zagrebit dhe Shkupit


Në Kuvend ftohen Topi, Spahiu dhe Ina Rama


Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, mbërrin sot në Tiranë për një vizitë zyrtare katër orëshe, ku pritet të japë mesazhin e Uashingtonit për zhvillimet në Tiranë. Zonja Klinton, e ftuar zyrtarisht të vizitojë Shqipërinë që prej vitit 1999 kur ishte zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara, vjen në kryeqytetin shqiptar në fund të mandatit të saj dhe në një moment të rëndësishëm për vendin, kur pritet të kremtohet 100-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar. Sekretarja Amerikane e Shtetit do të mbërrijë në Shqipëri rreth orës 10.00 të paradites dhe pritet të largohet rreth orës 14.00. Tirana është blinduar dhe janë marrë masa të forta sigurie, ku përveç forcave të policisë shqiptare do të jetë edhe një kontingjent amerikan të trupave të marinsave, si dhe të mbrojtjes së personaliteteve shtetërore.


Luftanija amerikane që mbërriti në Durrës

Luftanija amerikane që mbërriti në Durrës


Zonja Klinton do të nisë takimet e saj në Pallatin e Brigadave ku do të pritet në një audiencë të veçantë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në Pallatin e Brigadave, zonjës Klinton do t’i akordohet dekorata e lartë “Urdhri i Flamurit” me dekret të kreut të shtetit. Më pas, zonja Klinton do të zbresë në selinë  e Kryeministrisë, ku do të zhvillojë një takim me kreun e qeverisë, Sali Berisha, takim që pritet të zgjasë rreth 40 minuta pa një deklaratë për shtyp. Më pas sekretarja e Shtetit e SHBA-së, do të shkojë në sallën e seancave plenare të Parlamentit ku do të mbajë një fjalim të rëndësishëm para deputetëve.


Axhenda e zonjës Clinton në Tiranë ka pësuar një ndryshim në momentet e fundit. Edhe pse nuk do të ketë takime direkte me opozitën e re, janë ftuar te jënë prezentë në sallën e Kuvendit gjatë fjalimit të Sekretares së Shtetit, Kryetari i FRD-së, ish-presidenti Bamir Topi, Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, ndërkohë që një e ftuar e veccantë do të jetë edhe Kryeprokurorja e Republikës Ina Rama. Pas Parlamentit, Klinton do të zhvendoset në hotelin “Sheraton” ku do të zhvillojë një takim me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama, dhe pas tij do të presë po në të njëjtin vend një grup nxënësish të kryeqytetit. Fundi i vizitës së zonjës Klinton do të jetë një takim me punonjësit dhe familjarët e punonjësve të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, një traditë tashmë e salduar e çdo vizite e një sekretari Shteti të SHBA-së në një vend të huaj. Siç bëri të ditur Departamenti i Shtetit para vizitës temat e bisedimeve të zonjës Klinton në Tiranë do të jenë: shprehja e solidaritetit për aleatin e saj në NATO-Shqipërinë, ndihmën për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë, si dhe theksimin e rëndësisë që ka për Shqipërinë dialogu politik për arritjen e reformave dhe forcimi i shtetit ligjor. Këtë mesazh sekretarja e Shtetit të SHBA-së do ta japë sot live gjatë fjalës në Kuvend, e cila do të transmetohet nga thuajse gjithë televizionet shqiptare, por edhe nga media perëndimore.


Vizitat


Ardhja e sekretares Amerikane të Shtetit sot në Tiranë, përbën vizitën e pestë të një zyrtari të lartë të Uashingtonit zyrtar. Serinë e vizitave në Shqipëri e ka hapur sekretari i Shtetit, James Baker, në qershorin e vitit 1991. Pas një ndërprerjeje 50-vjeçare të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Baker u prit në një atmosferë shumë të përzemërt ku zhvilloi në sheshin “Skënderbej” me masa jo shumë të forta sigurie një miting madhështor që kurrë nuk është zhvilluar deri më sot. Në vitin 2000, Shqipërinë e vizitoi sekretarja Amerikane e Shtetit, Madlenne Albright, e cila vinte pas ndërmarrjes së rëndësishme të SHBA-së për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe. Edhe zonja Albright, zhvilloi një miting para Kryeministrisë ku u prit nga mijëra qytetarë të Tiranës. Në vitin 2003, Shqipërinë e vizitoi sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, i cili firmosi Kartën e Adriatikut ndërmjet SHBA-Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Në atë kohë nuk pati miting, por një takim të përzemërt të sekretarit Powel me qytetarë që ishin grumbulluar spontanisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kulmin e vizitave të krerëve të SHBA-së e shënoi vizita në Tiranë më 10 qershor të vitit 2007, nga ana e Presidentit George W Bush, i cili nga Tirana shpalli vendimin për pavarësinë e Kosovës. Vizita e Presidentit Bush, pati në fund një tubim të përzemërt me qytetarët e Fushë-Krujës, ku mijëra qytetarë e pritën ngrohtësisht kreun e Shtëpisë së Bardhë.


Axhenda – Sekretarja Klinton do të takohet me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha, do të flasë në Parlament dhe do të takohet me kreun e opozitës, Edi Rama


 


 


10 qershor 2007


Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, zhvilloi një vizitë zyrtare historike në Shqipëri, ku “shpalli” pavarësinë e Kosovës nga Tirana, akt që u vulos më 17 shkurt 2008. Presidenti Bush, i cili ndodhej në fund të mandatit të dytë presidencial pati në Shqipëri një nga vizitat që e ka vlerësuar më shumë, pasi u prit me ngrohtësi nga qytetarët shqiptarë. Para se të niset për në Uashington, Presidenti Bush u “zhyt” në turmën e banorëve të Fushë-Krujës, të cilët e përqafonin dhe i jepnin dorën, duke i shprehur respektin dhe ndjenjën e simpatisë për SHBA si aleati më i rëndësishëm i shqiptarëve


 


Spitali Amerikan


Në kuadrin e masave të sigurisë për vizitën e zonjës Clinton është inkuadruar edhe personeli shëndetësor. Kështu, për t’iu përvallur çdo lloj eventualiteti, që natyrisht është pjesë e çdo plani sigurie, është caktuar Spitali Amerikan për gadishmërinë e vizitës së Sekretares së Shtetit të SHBA. Konfirmimi është bërë nga spitali, në të cilin u parashikua se do të jepte ndihmën e shpejtë dhe do të trajtonte dhe Presidentin George W Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në rast se do të kishte probleme shëndetësore. Spitali privat do të jetë në gatishmëri dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme sipas protokolleve perëndimore për të pritur Clinton, në rast se do të shfaqë probleme me shëndetin dhe do të ndihet keq.