Rama: Rrugët e shtruara, në fantazinë e Kryeministrit
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka rrëzuar dje nga Berati, “kalin e betejës elektorale të Partisë Demokratike në fushatën elektorale, që janë ndërtimi i rrugëve. Duke marrë si shembull akset e Qarkut të Beratit, të Lezhës dhe Dibrës, Rama, ka deklaruar se rrugët e shtruara janë vetëm në kokën e Berishës dhe jo në Shqipërinë reale. “Kemi bërë 10.400 km rrugë, që do të thotë kemi shtruar 33 herë Shqipërinë me asfalt nga Veriu në Jug, nga Jugu në Veri… Po si ka mundësi që në këto 33 herë, nuk paska rënë njëherë këtu nga Lushnja në Berat. Po si ka mundësi që nga këto 33 herë, nuk paska rënë njëherë nga Fieri në Vlorë. Po si ka mundësi që nga këto 33 herë, nuk ka rënë njëherë nga Lezha në Dibër. Po si nuk paska rënë njëherë nga Tepelena në Gjirokastër, apo nga Ballshi në Tepelenë. Ku janë këto rrugë? Këto rrugë janë në kokën e kreut të qeverisë. Këto rrugë janë në fantazinë e një kryeministri që sot përfaqëson panikun e një pushteti familjar, të cilit i ka ardhur fundi dhe ndaj të cilit, jo socialistët as progresistët, por demokratët e Beratit, këtu, duhet të çohen të revoltuar më 23 qershor dhe t’i japin votën kundër”, tha Rama.
Pas çështjes së rrugëve, lideri i opozitës ka përmendur problemin e rikthimit të pronës, duke e akuzuar Kryeministrin se po luan me thëniet e shenjta. “Ne, sot jemi plotësisht të vetëdijshëm, por ende më të vetëdijshëm duhet të jenë demokratët, duhet të jenë ata që i thonë vetes të djathtë, duhet të jenë ata që me PD janë lidhur për arsye se besojnë në disa gjëra që na ndajnë. Duhet të jenë ata të cilët kanë 20 e kusur vite që presin t’ju kthejë pronën dhe sot në ditëlindjen e Profetit Muhamed kryeministri thotë ‘një nga dy porositë e tij të fundit dhe kryesorja kishte të bënte me pronën, mos e prek atë sepse Zoti ia dha njeriut të begatojë veten, familjen dhe shoqërinë’. Po mirë more zoti Kryeministër, pse ua prek pronën shqiptarëve që Zoti ua dha të begatojnë veten, familjen dhe shoqërinë?! Në këtë prekje të dyfishtë, nga një anë duke hapur rrugën e gllabërimit të pasurive kombëtare dhe private të shqiptarëve dhe nga ana tjetër duke predikuar Profetin, ne kemi lënë Zotin që të merret me ty, ndërsa më 23 qershor do të të japim atë që meriton ndëshkimin popullor, që do t’i hapë rrugën dy Rilindjeje, një Rilindjeje të madhe shqiptare dhe brenda saj një Rilindje të vogël, rilindjes së PD pa ty”, deklaroi Rama. Duke rimarrë një nga premtimet e tjera të PD-së, siç është turizmi, lideri i opozitës e ka rrëzuar sërish këtë shtyllë si të parealizuar. “Kryeministri thotë: Turizëm, turizëm, turizëm! Po ku është turizmi? Berati po bie. Gjirokastra po zhduket. Kruja rri mbi një këmbë. Kemi një program jo për ta hedhur në kosh, por për ta vënë në tryezën e Këshillit të Ministrave. Ne do ta rilindim Beratin. Këtë di t’u them unë. Ne do t’u japim gjithë qytetarëve atë shije dhe kënaqësi për të dalë në shëtitore apo për t’u rikthyer në këtë qytet”, ka thënë Rama, sipas të cilit ka ardhur koha për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes”, tha Rama.
M. Haxhialiu
Pronat
“E dini sa prona janë regjistruar nga viti ‘05 deri sot që po flasim? Vetëm 6 mijë nga 4 milionë. Vetëm 6 mijë! 60% e tyre janë regjistruar më parë, pra kur ishin në qeveri socialistët. Pra, socialistët, të cilët kurrë nuk kanë marrë votat e pronarëve, sepse janë konsideruar si njerëz të dyshimtë në raport me pronën për arsye të së shkuarës”
Për Beratin
Braçe, replikë në distancë me Ramën
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka replikuar në distancë me kreun e opozitës, Edi Rama, pas aludimit të tij në një takim në Berat për humbjen e mandatit të 5-të të PS-së në vitin 2009. Braçe, në rrjetin “Facebook”, shkruan se “unë nuk e kam shitur dhe nuk e shes partinë time kryetar”. Më pas, Braçe shpjegon me hollësi se nuk ka pasur asnjë problem me votat e G99 e cila nuk mund ta merrte deputetin pasi i mungonin më shumë se 4 mijë vota. Braçe thekson se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe ato ai i kishte sqaruar në Asamblenë e PS-së në vitin 2010.