Problemet – Marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur thellë, aq sa paditësi është larguar nga banesa dhe bashkëshortët kanë mbi tre vjet që kanë ndërprerë jetesën e përbashkët midis tyre.


Mungesa – Ky gjykim u zhvillua në mungesë të palës së paditur, pasi sipas letërthirrjeve të dërguara nga ana e gjykatës, rezultoi se ndodhet jashtë shtetit në Kanada.


Vendimi i plotë


Gjykata e Tiranës e zgjidhi marrëveshjen në 2011-n


Visho AjaziPas 29 vite martesë, shefi i ri i SHISH, Visho Lika, ka trokitur në dyert e Gjykatës së Tiranës për t’i dhënë fund martesës së tij me Ermira Likën. Arsyet që e kanë shtyrë që shefin e SHISH janë mosmarrëveshjet dhe grindjet e përhershme me bashkëshorten e tij.


Gazeta “Shqip” po boton të plotë vendimin e kësaj ndarjeje të dhënë më 18 shkurt të vitit të kaluar.


VENDIM


“Në EMËR TË REPUBLIKËS”


Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë nga:


GJYQTARE: BRUNILDA KASMI, asistuar prej sekretares gjyqësore Valbona Maja, sot më datë 18.02.2011, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore publike çështjen civile me nr. 3854 akti që i përket palëve ndërgjyqëse:


PADITËS: Visho Ajazi Lika, i biri i Bahriut dhe i Fiqiretes, i datëlindjes 1956, lindur në Shkodër, dhe banues në Tiranë, Rruga e  Dibrës,  pall. 100, hyrja 7, ap. 11, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, i martuar me dy fëmijë, i punësuar.


E PADITUR: Ermira Lika, e bija e Shefkiut dhe e Violetës, e datëlindjes 1957, lindur në Durrës dhe banuese në Tiranë në adresën e mësipërme, (aktualisht jashtë shtetit në Kanada në adresë të paditur) me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të mesëm, e martuar me dy fëmijë.(Gjykuar në mungesë me shpallje)


OBJEKTI: Zgjidhje e martesës


BAZA LIGJORE: Neni 129 dhe neni 132 i Kodit të Familjes, neni 51 i Kodit të Procedurës Civile Gjykata; në përfundim të hetimit gjyqësor, pasi administroi provat shkresore në bisedimet përfundimtare, mori pretendimet e fundit të palës paditëse që kërkoi pranimin e kërkesë-padisë, ndërsa pala e paditur gjykuar në mungesë me shpallje, si dhe e bisedoi çështjen në tërësi:


VËREN:


Se pala paditëse i është drejtuar gjykatës me padi sipas objektit të përcaktuar në pjesën hyrëse të këtij vendimi gjyqësor. Përpara shqyrtimit të bazueshmërisë në ligj dhe në prova të padisë gjykata analizoi juridiksionin dhe kompetencën e saj në gjykimin e kësaj çështjeje. Në zbatim të neneve 35/3, 36/1, 41 dhe 349/a të K.të Pr.Civile gjykata konstatoi se çështja hyn në juridiksionin gjyqësor dhe është në kompetencën lëndore dhe tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga pikëpamja e faktit rezultoi se: Palët ndërgjyqëse janë bashkëshortë midis tyre. Ata e kanë lidhur martesën ligjore me datë 07.04.1982, fakt ky që rezulton i provuar nga certifikata e martesës e lëshuar me datë 08.02.2011, nga Zyra e Gjendjes Civile të Qarkut Durrës, Rrethit Durrës, në bazë të Regjistrit Themeltar të Martesave “Durrës”, me  Nr.214 të vitit 1982. Nga pikëpamja e faktit rezultoi se: Kjo martesë është lidhur me dashuri. Palët ndërgjyqëse janë njohur midis tyre në vitin 1978. Pasi kanë qëndruar një periudhë njohjeje me njëri-tjetrin më pas ata kanë lidhur edhe martesën ligjore. Siç provohet nga certifikata familjare dhe certifikatat e lindjeve të administruara në dosjen gjyqësore nga kjo martesë bashkëshortët kanë dy fëmijë, fëmijën e seksit mashkull V. Lika i datëlindjes 04.01.1985 dhe fëmijën  e seksit femër A. Lika e datëlindjes 30.05.1988. Me padinë në gjykim pala paditëse parashtroi se: Marrëdhëniet midis bashkëshortëve fillimisht kanë qenë të mira. Ato janë karakterizuar nga mirëkuptimi dhe harmonia në familje. Por me kalimin e kohës, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të qëndrueshme, dhe në marrëdhëniet bashkëshortore janë shfaqur mosmarrëveshje dhe grindje të vazhdueshme, të cilat shkaktoheshin për shkak të mospërputhjes së karaktereve të bashkëshortëve me njëri-tjetrin, që shpeshherë reflektohej në konceptimin dhe perceptimin e ndryshëm që ata ndanin në lidhje me vazhdimësinë e jetës bashkëshortore. Në këto kushte, gjatë viteve të fundit bashkëshortët nuk po gjenin një gjuhë të përbashkët të  komunikimit midis tyre, dhe për pasojë kjo është shoqëruar edhe me zbehjen graduale të marrëdhënies bashkëshortore. Marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur thellë, aq sa paditësi është larguar nga banesa dhe bashkëshortët kanë mbi tre vjet që kanë ndërprerë jetesën e përbashkët midis tyre. Ky gjykim u zhvillua në mungesë të palës së paditur, pasi sipas letërthirrjeve të dërguara nga ana e gjykatës, si dhe vërtetimit me nr.3463 prot, datë 27.10.2010, të lëshuar nga njësia bashkiake nr.1 Tiranë, rezultoi se ndodhet jashtë shtetit në Kanada. Në këto kushte njoftimin për të, gjykata e kreu konform nenit 133 të K. Pr. Civile, njoftim ky i kryer me shpallje publike. Gjykata nuk arriti t’i pajtojë këto palë me gjithë përpjekjet e saj për pajtim, të bëra si në seancat e pajtimit, konform nenit 134 të K. të Familjes, ashtu edhe në seancë gjyqësore, pasi ndeshi në këmbënguljen për t’u ndarë të palës paditëse. Pala paditëse deklaroi në seancën gjyqësore që gjykata të mos shprehej lidhur me fajësinë. Nisur nga sa u parashtrua më lart e kushtet e pamundësisë, për të ruajtur apo rikrijuar bashkimin shpirtëror dhe material midis bashkëshorteve, aq sa që prej më shumë se tre vjetësh bashkëshortët kanë ndërprerë edhe jetesën e përbashkët midis tyre, duke shkelur kështu një detyrim ligjor që bie ndesh me parashikimet e nenit 55 të K. të Familjes sipas të cilit rezulton se bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët me njëri-tjetrin, gjykata çmon se marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur thellë aq sa martesa “de facto” e ka humbur qëllimin e saj e si e tillë duhet zgjidhur. Kjo dhe në vështrim të nenit 129 të K. të Familjes ku parashikohet se: “Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët kur bashkëshortët jetojnë të ndarë faktikisht që prej 3 vjetësh”. Me zgjidhjen e martesës e paditura do të marrë mbiemrin që ka pasur përpara lidhjes së martesës “Murataj”. Kjo dhe në respektim të nenit 146/1 të K. të Familjes. Në këtë dispozitë parashikohet se: “Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij pas zgjidhjes së martesës, merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës”.


Në dispozitivin e këtij vendimi gjykata nuk do të shprehet lidhur me zgjidhjen e pasojave që rrjedhin nga ky gjykim me objekt “Zgjidhje martese”, për sa u përket fëmijëve: V. Lika dhe A. Lika, pasi rezultoi se ata e kanë fituar zotësinë për të vepruar, sepse ata e kanë mbushur moshën 18 vjeç, pra janë  madhorë, dhe për pasojë ata nuk janë më nën kufijtë e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore nga ana e prindërve të tyre. Konform nenit 143 të K. të Familjes, pasi ky vendim të marrë formë të prerë gjykata ia dërgon për regjistrim Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë.


PËR KËTO ARSYE:


Gjykata bazuar në nenin 126 -306-309 e vijues të K. Pr. Civile;


VENDOSI:


•    Pranimin e kërkesë-padisë.


•    Zgjidhjen e martesës ligjore midis paditësit Visho Ajazi Lika dhe të paditurës Ermira Lika.


• Pas zgjidhjes së martesës e paditura do të marrë mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës “Murataj”.


• Një kopje e këtij vendimi, pasi të ketë marrë formë të prerë t’i dërgohet për regjistrim Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake Nr. 1 Tiranë, për të bërë ndryshimet përkatëse.


• Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.


• Kundër këtij vendimi lejohet të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Apelit Tiranë, afat ky që  për palën paditëse prezente fillon nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit, ndërsa për palën e paditur në mungesë, ky afat fillon nga dita e njoftimit të vendimit.


U shpall sot më datë 18.02.2011, në Tiranë.


SEKRETARE                                                                                   GJYQTARE


VALBONA MAJA                                                                         BRUNILDA KASMI


 


Grindjet – Me kalimin e kohës, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të qëndrueshme, dhe në marrëdhëniet bashkëshortore janë shfaqur mosmarrëveshje dhe grindje të vazhdueshme


9 gusht – Presidenti Nishani firmosi propozimin e Kryeministrit Berisha për shkarkimin e Shaqirit dhe të emërimit të Visho Ajazi Likës në krye të SHISH-it


Shefi i SHISH e ndërmori vetë iniciativën për t’u ndarë pas 29 vitesh martesë. Ja vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës


 


Opozita


Braçe: Nishani të japë shpjegime për nënshtetësinë e Likës


Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, reagon ndaj nënshtetësisë së dyfishtë të shefit të SHISH, Visho Lika. Ai i ka kërkuar Presidentit të japë shpjegime në lidhje me këtë fakt, nëse Lika mban edhe nënshtetësinë kanadeze. “Presidenti Nishani duhet të përgjigjet! Çfarë shtetësie ka drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, zoti Visho Lika? A ka marrë shtetësi kanadeze drejtori i SHISH? A ka marrë azil të çdo forme në Kanada Drejtori i SHISH? Në cilin mbiemër drejtori i SHISH i ka këto statuse? Nëse ka marrë azil politik, pra si kundërshtar i qeverisë socialiste të pas 1997-s, atëherë si mund të emërohet në detyrën e drejtorit të SHISH-it një njeri i shpallur kundërshtar me opozitën? Presidenti Nishani duhet të na përgjigjet!! Dekreti ishte i tij!”, shkruan Braçe në “Facebook”. Dyshtetësia e shefit të ri të SHISH-it është parë si një diçka serioze dhe nga ish-drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Një qëndrim të tillë mbajti dhe ish-presidenti Alfred Moisiu. “Problemi kryesor është njëlloj sikur të marrësh një person të huaj dhe t’i japësh nënshtetësi shqiptare dhe ta vësh në një detyrë të tillë. Këto gjëra kanë ndodhur në kohën e Mbretit Zog. Kemi pasur komandantin e xhandarmërisë, një person me shtetësi britanike. Por në një shtet të pavarur dhe demokratik nuk kanë pse të ndodhin gjëra të tilla, nuk është se te ne mungojnë njerëzit. Nuk e di se pse është marrë një vendim i tillë, nuk e kuptoj se cilat janë arsyet. Nuk e njoh fare kreun e ri të SHISH-it, pa e njohur fare, them se nuk është një vendim i drejtë dhe në përputhje me interesat kombëtare”, tha Moisiu.