Pesë prokurorë të rinj emërohen te Krimet e Rënda, hetime për 400 çështje. Llalla përsërit paralajmërimin e burgosjes së qeveritarëve
Dosjet ndaj ish-ministrave
1. Spiro Ksera – Ish-ministri i Punës është denoncuar nga ish-ministri Erion Veliaj për abuzime me detyrën. Edhe më parë Ksera u hetua, por nuk u mor i pandehur
2. Arben Imami – Ish-ministri i Mbrojtjes ka edhe një llogari të hapur me drejtësinë. Prokuroria e Elbasanit po e heton për shitjen e skrapit të Mjekësit
3. Ridvan Bode – Ish-ministri i Financave ka aktualisht dy çështje të hapura, e para për kredinë për Durrës – Kukës dhe e dyta për fshehje pasurie
4. Lulzim Basha – Ish-ministri i Brendshëm, aktualisht lider i opozitës, u denoncua disa javë më parë për ngjarjet gjatë demonstratës së 21 janarit
5. Myqerem Tafaj – Ish-ministri i Arsimit akuzohet në lidhje me akreditimet e universiteteve private, prokuroria ka regjistruar procedim penal
Hetimet për zyrtarët e lartë shtetërorë është “beteja” e radhës e drejtësisë. Prokuroria ka krijuar një tjetër njësi antikorrupsion, kësaj here në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila do të merret ekskluzivisht me hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë. Pavarësisht mungesës ligjore për të hetuar persona me imunitet (ministra, deputetë apo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë), akuza qendrore thotë se kjo zyrë do të hetojë zyrtarët e lartë, pikërisht ata që deri më tani kanë qenë “të paprekshëm”. Kryeprokurori Llalla i ka dhënë dje “betimin” kësaj njësie, duke emëruar në këtë strukturë edhe pesë prokurorë të rinj. Megjithatë, ajo çka tërhoqi vëmendjen e opinionit ishte kërkesa e vazhdueshme e numrit një të akuzës qendrore që, në muajt e parë të funksionimit, të hetohen e ndëshkohen zyrtarë të lartë që bëjnë korrupsion. Prezantimi i prokurorëve të rinj është bërë me dyer të mbyllura, ndërsa burime pohojnë se Llalla ka paralajmëruar se shumë shpejt pret rezultat konkrete. Deklarata vjen në një kohë që mazhoranca po përgatit një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, ku do të preket edhe zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Ekspertët e drejtësisë po diskutojnë edhe për mandatin e kryeprokurorit dhe nëse ligji miratohet, atëherë Llalla rrezikon edhe postin.
Njësia antikorrupsion
Dje në mesditë, kryeprokurori Llalla prezantoi strukturën antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve në nivel të lartë, gjyqtarësh e prokurorësh. Gjatë takimi, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues të ambasadës amerikane dhe ODAPT, Llalla ka kërkuar nga vartësit e tij finalizimin e hetimeve në proces. Mësohet se kjo njësi do t’u japë zgjidhje ligjore qindra çështjeve, hetime pasurore për individë kriminalë apo edhe për disa çështje korrupsioni që po hetohen në këtë prokurori. Mësohet se janë rreth 15 çështje që do të finalizohen në javët në vazhdim. Prokurori Dritan Rreshka është emëruar drejtues i kësaj njësie, ndërsa dje janë prezantuar edhe katër prokurorë: Gent Osmani, Armand Gurakuqi, Anisa Qilimi dhe Enkelejda Milori.
400 çështje
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se është vendosur fuqizimi me kapacitete njerëzore i njësisë antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale në këtë strukturë. “Kjo njësi, e cila prej ditës së sotme (djeshme) do të përbëhet nga pesë prokurorë, numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet procedurale sa u përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese. Po ashtu, në mbështetje të kësaj njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror”, thotë akuza qendrore. Sipas saj, Llalla në takim tha se “krahas numrit të lartë të procedimeve, tashmë ka mbështetjen e një numri më të madh prokurorësh, ekspertizën e specializuar të OPDAT-it dhe specialistëve vendas. Për këtë arsye, u kërkoj prokurorëve të njësisë antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe të vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”. Llalla theksoi se “prokurorët që do t’i atashohen kësaj njësie, ndoshta me të drejtë, mund ta konsiderojnë si vlerësim përfshirjen e tyre në të. Dhe në fakt, është një vlerësim. Por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik. Për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në nivele të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”.
Përsëritet “kërcënimi”
Dje, pasi doli nga takimi te Krimet e Rënda, gazetarët e kanë pyetur kreun e akuzës nëse do të ketë arrestime në vjeshtë. Llalla iu përgjigj “me siguri, me siguri”. Kjo deklaratë ngjason me atë të thënë po prej tij, në nëntor të vitit të kaluar. “Kemi dosje të zyrtarëve të lartë në nivel ministrash dhe ish-ministrash. Po hetojmë edhe ministra të qeverisë aktuale. Hetimet kanë lidhje me detyrën dhe një aktivitet aktual për çështje që nuk mund të japim detaje të mëtejshme”, u shpreh kryeprokurori gjatë intervistës në emisionin “Top Story”. Më shumë se kaq ai nuk mund të thoshte, ishin fjalë të prera, të shkurtra, por shumë të qarta. Në atë kohë, të gjithë mendonin se tashmë koha e “të paprekshmëve” kishte përfunduar dhe kërkonin të mësonin se kush ishte ministri i hetuar. Kanë kaluar rreth 10 muaj nga ajo deklaratë dhe sërish emri i ministrit nuk është bërë publik. Asnjë ministër i kabinetit “Rama” nuk është marrë i pandehur apo të jetë arrestuar, teksa nën akuzë janë vënë vetëm disa deputetë, por për çështje flagrante.
“Diplomacia” e Llallës
Pas marrjes së postit të kryeprokurorit, Llalla është treguar “diplomat” me disa çështje që ka pasur në hetim. Kreu i akuzës qendrore, Adriatik Llalla, duket se po mban një balancë mes dy krahëve të politikës. Ai u zgjodh me votat e opozitës së sotme, ndërsa mazhoranca aktuale vendosi në atë kohë që të abstenojë. Ai ka edhe rreth një vit e gjysmë nga përfundimi i mandatit, ndërsa shpeshherë ka deklaruar se ka çështje që do të ndryshojnë fatet e vendit. Por, akuza qendrore ka vepruar që, në kohën kur godet njërin krah, siç ishte edhe rasti i Arben Ndokës e Pjerin Ndreut për shpullën ndaj Strazimirit, goditi edhe anën tjetër, Astrit Veliajn e së djathtës për ndërtim pa leje. Më parë, akuza deklaroi në një njoftim se kishte marrë të pandehur dy ish-krerët e inspektorateve ndërtimore, Zyhdi Dajtin e INUK-ut dhe Florenc Hoxhën e INUV-it të Bashkisë së Tiranës. Prokuroria ka vepruar edhe më parë me këtë skemë, në kohën kur ka ngritur akuzë ndaj dy kryebashkiakëve, Shpëtim Gjikës të Vlorës dhe Xhelal Mziut të Kamzës. Të dy personazhet karizmatike u vunë njëkohësisht nën akuzë, Gjika për falsifikim dokumentesh, ndërsa Mziu për pabarazi në tenderë. Një nga vendimmarrjet më të vështira të kryeprokurorit Adriatik Llalla ka qenë pushimi i hetimeve ndaj Arben Imamit, i kallëzuar për një tender miliona eurosh. Arsyeja ishte se ai kishte zbatuar një VKM, pra një vendim kolegjial.
