Fenomeni
Nga kush kryhen krimet e rrugës në kryeqytet
Kur futesh në rrugën, ku para disa ditëve u vra Fatbardha Tafa, gjithë njerëzit të shikojnë vranët nga frika se nga momenti në moment, dikush mund të dalë për t’i grabitur. E nëse dështojnë në grabitjen e tyre, edhe mund t’i vrasin. Këtë frikë nuk e kanë vetëm ata, por ndihet në çdo cep të Tiranës, teksa pyesin nëse u gjetën autorët e vrasjes së 38-vjeçares apo të atentatit në Kamzë, të grabitjes te Kodrat, apo të vjedhjes së çantës në një gruaje, apo… Krimi i rrugës është bërë më shqetësues së kurrë, jo vetëm në Tiranë, duke sjellë pasiguri tek qytetarët, ndërkohë që policia ndihet dita-ditës edhe më e pafuqishme për ta luftuar. “Si mund ta ndjekim kriminelin, kur ne s’kemi karburant për makina”. Kjo është shprehja që përdor një inspektor zone i zakonshëm, në mes të kryeqytetit, kur bisedon me të se çfarë po ndodh dhe pse po ndodh. Por kjo nuk është e vetmja mangësi për të dhe për të gjitha forcat e tjera të rendit me fenomenin e krimit të rrugës, i përshtatur më së miri me rritjen e vrasjeve, kërcënimeve, plagosjeve, vjedhjeve, grabitjeve me dhunë ose me pasojë vdekjen, siç ishte rasti i Bardhës.
Paaftësia e policisë
Alarmi është lëshuar prej kohësh, ku kërkohet që të ndërhyhet urgjentisht me qëllim zvogëlimin e këtyre fenomeneve me shifra të frikshme. Madje, vjedhjet e ndryshme, duke filluar që nga ato me thyerje, e deri tek ato me dhunë, apo grabitjet me armë ose me pasojë vdekjen kanë ardhur në rritje, nga dita në ditë, duke sjellë edhe më shumë frikë te qytetarët. Në tendencën në rritje të këtij grupi veprash penale çmohet se kanë ndikuar faktorët socialë-ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së autorëve të tyre, pasi pikërisht ata persona që nuk janë kapur duket se janë bërë edhe më profesionistë. Një tjetër faktor janë kushtet për policinë. Drejtoria e Tiranës, në mungesë të një strategjie tjetër, kishte zgjedhur mënyrën e patrullimit nëpër lagje me fenelina policie, me qëllim për të mbajtur nën tension elementin kriminal, që kishte ndikuar deri diku për të parandaluar ndonjë vjedhje të dhunshme, apo ndonjë konflikt me pasoja. Por, me reduktimin e karburantit për mjetet e policisë dhe frikën e patrullave se do u duhet që të paguajnë nga xhepi, edhe kjo metodë është zbehur. Ndërsa për patrullimin në këmbë, nga efektivët mësohet se është e pamundur për shkak të raportit shumë të keq mes punonjësve të policisë me banorët, pasi në Tiranë rezulton se është një punonjës policie për 450 banorë. Në këto kushte, ata mund të mbajnë kontakte me banorët, por e kanë të pamundur për të qenë sa më pranë tyre, me qëllim identifikimin dhe zbulimin e autorëve të ngjarjeve të shumta që ndodhin në kryeqytet, të njohura si krim i vogël, por që tashmë, po sjellin pasoja të rënda, deri në jetë njerëzish.
Grupmosha e kontingjentit
Për këto krime, policia ka edhe të dyshuarit e vet të përhershëm, që sa herë kryhet ndonjë ngjarje e tillë, ata përfundojnë në rajone, pavarësisht se rrallë herë mund të qëllojnë të jenë autorët e asaj ngjarjeje. Specialistët e krimeve shpjegojnë se këto krime, kryesisht kryhen nga mosha nga 12 deri në 25 vjeç. Çdo zonë ka kontingjentin e vet, me specifika të ndryshme, por ata lëvizin edhe nga një lagje në tjetrën, duke bërë më të vështirë zbulimin. E sikur të mos mjaftonin këto lëvizje, në Tiranë shtohet edhe kontingjenti i rretheve të tjera, duke shtuar më shumë vështirësitë për dokumentimin e veprave penale.
Gjithashtu, konstatohet rritje e numrit të të pandehurve të mitur për këtë grup veprash penale. Madje, nga ekspertët, në raporte vlerësohet që mungesa e një sistemi efikas për ndëshkimin penal ndaj kësaj kategorie individësh, duke marrë në konsideratë moshën, edukimin, kushtet e jetesës dhe prejardhjen familjare, është një faktor që ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të këtij grupi. Madje, kohët e fundit vihet re se janë shtuar edhe elementë të tjerë kriminalë, të cilët prej vitesh kanë jetuar jashtë Shqipërisë. Sidomos kriza greke ka bërë që të rritet numri i kontingjentit të kthyer nga emigracioni.
Analizat mbi
krimin e rrugës
Nga analiza e treguesve statistikorë evidentohet se prokuroria për të minimizuar këtë fenomen, ka kërkuar dënime të ashpra për të akuzuarit, por përgjithësisht gjykatat e të gjitha niveleve kanë aplikuar lloje dhe masa dënimi më të buta se ato të kërkuara nga prokurorët. Ndërkaq, gjendja e procedimeve penale të pezulluara për moszbulim të autorëve, me shifra në rritje vit pas viti, evidenton mangësi në zbulimin e autorëve nga strukturat përkatëse të shërbimeve të Policisë së Shtetit, si dhe nevojën për përmirësimin rrënjësor të punës nëpërmjet hartimit të një strategjie për të luftuar këtë fenomen në të gjitha dimensionet e tij. Gjithashtu, specialistët kanë këshilluar që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të organizojë kontrolle dhe analiza në të gjitha strukturat e shërbimeve të policisë gjyqësore, me qëllim për të analizuar gjendjen e veprave penale të pazbuluara, si dhe për të rritur angazhimin dhe përgjegjësinë e oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore në të gjitha nivelet në ushtrimin e funksioneve të tyre për kërkimin dhe mbledhjen e të dhënave, njoftimeve dhe provave, për gjurmimin dhe zbulimin e autorëve të veprave penale të pezulluara ose pazbuluara.
Kontingjenti – Të dyshuarit e krimit të rrugës kryesisht janë përdorues droge, me arsim të ulët, të papunë dhe që vijnë nga shtresat e varfra
Vjedhjet – Në rritjen e vjedhjeve kanë ndikuar shumë faktorët socialë-ekonomikë dhe ulja vit pas viti e zbulueshmërisë së autorëve të tyre
Thikat – Mbajtja e thikave dhe lëvizja me motorë është kthyer në shqetësim serioz, sidomos për moshat e reja, të përfshira në këto krime