Prapaskenat
Kryeministri turk: Nëse s’votoni pro Palestinës, kemi probleme
Fatjona Mejdini
Acarohen papritur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë. Shkak është bërë Palestina, ose më mirë vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të abstenuar vendimin për pranimin e Palestinës si vend vëzhgues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E përditshmja prestigjioze turke, “Hurriyet” zbardh dialogun e Kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, sipas të cilit ai ka kërcënuar Tiranën se nëse nuk votohet pro Palestinës mund të prishen marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Turqi. Qeveria shqiptare ka qenë në një presion të madh në lidhje me votën e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për sa i përket dhënies së statusit të vendit të vëzhguesit në këtë organizatë. Prapaskenat dhe presionet zbulohen nga gazetat prestigjioze të vendeve të cilat kanë qenë të interesuara në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë zhvillim të ndodhur në datë 29 nëntorit në selinë e OKB-së në Nju Jork. Gazeta prestigjioze turke “Hurriyet” në një shkrim të sajin të botuar dje, flet për negociatat që Kryeministri i këtij vendi, Rexhep Taip Erdogan, ka bërë me Kryeministrin Berisha, duke i kërkuar këtij të fundit që të votonte pro statusit të Palestinës. Në shkrim theksohet në mënyrë të qartë se kjo kërkesë është kushtëzuar nga Erdogan me cenimin e marrëdhënieve të konsideruara shumë të mira mes dy vendeve. Nga ana tjetër, presion i madh Shqipërisë për të votuar kundër duket se i është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, të cilët e kanë kundërshtuar me forcë vendimin e OKB-së. Votën e Shqipërisë e ka komentuar dje dhe gazeta prestigjioze “Jerusalem Post”, e cila e ka evidentuar Shqipërinë si vend mysliman, por që ka mbajtur një qëndrim abstenues ndaj kësaj çështjeje. E vendosur përmes kësaj trysnie të madhe të ardhur nga vende të rëndësishme aleate, Shqipëria ka qenë e detyruar të abstenojë, por dhe ky qëndrim neutral, duket se do të shoqërohet me pasoja.
Mediat turke
Gazeta e dytë në Turqi për sa i përket tirazhit të lartë “Hurriyet”, ka zbardhur dje negociatat e Kryeministrit Erdogan dhe atij shqiptar, Berisha për sa i përket kësaj vote të Shqipërisë. Sipas kësaj gazete, Erdogan u kishte komunikuar pak kohë më parë gazetarëve se ai po lobonte në mënyrë personale te liderët e vendeve mike për të pasur një qëndrim pro marrjes së statusit të vëzhguesit nga ana e Palestinës. Ndonëse ai nuk kishte përmendur emrin e Kryeministrit Berisha në mënyrë të drejtpërdrejtë, gazeta sqaron se bëhej fjalë për një telefonatë që Erdogan kishte pasur me Berishën, duke e shoqëruar me shprehjen “bota përbëhet nga shumë frikacakë”. Madje, sipas gazetës Erdogan ka guxuar të theksojë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë do të cenoheshin në rast se vendi ynë nuk mbante qëndrim pro Palestinës, sepse sipas Kryeministrit turk qëndrimi abstenim ishte i njëjtë me atë kundër. “U thashë atyre se kjo do t’i dëmtonte marrëdhëniet bilaterale ekzistuese dhe do të na linte ne të pakënaqur gjithashtu”, kishte thënë për gazetarët Kryeministri turk.
Mediat izraelite
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka përgëzuar të gjitha ato vende të cilat kanë kundërshtuar marrjen e statusit nga ana e Palestinës në OKB. Mes vendeve që ka përmendur ka qenë dhe Shqipëria ku është theksuar fakti që pavarësisht se ky vend përbëhet nga një shumicë myslimane ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj Palestinës. Izraeli në këtë betejë të fortë kundër njohjes së Palestinës në OKB ka pasur dhe mbështetjen e fortë të SHBA-së, e cila me diplomacinë e saj tepër të zhvilluar është imponuar te vende të ndryshme për këtë qëndrim. Lobimi i SHBA-së me sa duket ka “detyruar” dhe Shqipërinë që të jetë tepër e kujdesshme në këtë hap dhe se ndonëse nuk e ka miratuar vendimin e OKB-së për Palestinën, nuk e ka ndihmuar një vendimmarrje të tillë.
Gazeta – E përditshmja turke, “Hurriyet”, publikon thelbin e diskutimeve mes Erdogan dhe Berishës
Izraeli – Shqipëria vitet e fundit ka zhvilluar një miqësi të madhe me Izraelin, duke përdorur si bazë dhe mbrojtjen që shqiptarët u bënë izraelitëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vendimi – Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me një shumicë dërrmuese votash vendimin për të njohur të drejtën e Palestinës të jetë një vend vëzhgues në këtë organizëm. 138 vende votuan pro kësaj nisme, 9 kundër dhe 41 të tjerë, mes tyre dhe Shqipëria abstenuan.
Arsyet
MPJ: Vota, në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme
Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare sqaroi tri ditë më parë dhe votën e Shqipërisë abstenuese në OKB. Përmes një njoftimi për shtyp, ministria theksoi se vetëm paqja mes dy vendeve do t’u shërbente atyre vetë dhe rajonit. “Si një vend që e ka njohur shtetin e Palestinës dhe mbështetur të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, me qëndrimin e saj Shqipëria iu përmbajt pikëpamjes se vazhdimi i procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe pranimit nga palët i ekzistencës së dy shteteve, të cilët jetojnë në paqe dhe siguri me njëri-tjetrin, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme. Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të rishprehë vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me palët dhe komunitetin ndërkombëtar me synimin për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”, theksohet në njoftim.
Analiza – Problemet me Ankaranë i shtojnë telashet Tiranës zyrtare pas acarimeve me Athinën e Shkupin
Shqipëria, probleme me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit
Shqipëria duket se aktualisht është në një situatë të vështirë për sa u përket marrëdhënieve diplomatike me vendet e rajonit dhe kjo situatë është krijuar për shkaqe të ndryshme. Kështu, aktualisht marrëdhëniet janë të tensionuara me Greqinë, një vend ky i rëndësishëm në rajon dhe për faktin se është anëtar i Bashkimit Europian. Vetëm pak javë më parë, marrëdhëniet me këtë vend ishin të stabilizuara, por një deklaratë e Kryeministrit Berisha për shpalljen e shtetit të parë shqiptar nga “Preveza deri në Preshevë”, ka acaruar palën greke, e cila i është kundërpërgjigjur ashpër, duke anuluar vizitat zyrtare në Shqipëri dhe duke marrë vendime ekstremiste ndaj emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Për të njëjtin shkak marrëdhëniet e Shqipërisë janë ftohur dhe me fqinjin lindor, Maqedoninë. Deklaratat me tone nacionaliste të bëra në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup nga ana e Kryeministrit shqiptar, Berisha, dhe atij të Kosovës, Thaçi bën që pala maqedonase të mbajë qëndrim dhe Presidenti i këtij vendi të anulojë vizitën e planifikuar në Shqipëri. Turqia e cila është konsideruar si një nga vendet më të afërta në rajon me Shqipërinë, duket se do ta rishikojë këtë qëndrim të saj. Kjo për shkak të deklaratave të Kryeministrit të këtij vendi, Rexhep Taip Erdogan, në kuadër të mosmbështetjes nga ana e Shqipërisë e të drejtës së Palestinës për të pasur statusin e vendit vëzhgues në OKB. Nga ana tjetër, mes Kroacisë dhe Shqipërisë qëndron pezull mëria për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. E drejta për ndërtimin e kësaj linje u fitua nga ana e një kompanie kroate, por tenderi u anulua dhe nuk pranohet nga ana e Shqipërisë. Marrëdhënie të mira Shqipëria ka aktualisht me Slloveninë, vend ky anëtar i BE-së, miqësia me të cilin u përforcua dhe nga vizita që zhvilloi pak ditë më parë në Tiranë, Kryeministri i këtij vendi.
Kufijtë – Shqipëria vijon të mos i ketë të ndarë kufijtë e saj në mënyrë përfundimtare me Greqinë. Aktualisht dy vendet kanë ngecur në ndarjen e kufijve ujorë
Integrimi – Marrëdhëniet e mira me fqinjët do t’i shërbenin Shqipërisë dhe për një proces të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Europian. Greqia ka aktualisht forcën ta bllokojë këtë proces
Eurodeputeti
Kukan: Komisioni, raport pozitiv Këshillit të BE
Komisioni Europian do t’i paraqesë raport pozitiv Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për t’i dhënë statusin Shqipërisë, në çdo moment që Kuvendi të votojë tre ligjet që e kushtëzojnë atë. Kjo u premtuar nga ana e kryetarit të Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, në një intervistë për “AS”. Por pavarësisht kësaj, Kukan thekson se ky vit do të mbyllet pa asnjë rezultat në drejtim të statusit të kandidatit me BE-në. Por pavarësisht kësaj ai thekson se komisioni nuk do presë deri në qershor kur zhvillohet samiti i radhës i Këshillit për të bërë propozimin e tij. “Me t’u votuar tri ligjet e kërkuara në Parlament, Komisioni Europian është i gatshëm të bëjë menjëherë informacionin për përmbushjen e tyre, si dhe t’i paraqesë propozimin Këshillit. Kjo do të thotë që Komisioni nuk do të presë deri në qershor për ta informuar Këshillin Europian, por ai do ta bëjë këtë menjëherë. Pra, kjo është e mundshme, por gjithçka varet nga ju”, deklaroi ai.