Kërkesa e Ministrisë së Jashtme për dhënien e plotfuqishmërisë për negociatat për kufirin detar me Greqinë, duket se është kthyer në një mollë sherri midis Presidencës dhe qeverisë Rama.
Teksa mazhoranca po nxiton të finalizojë një marrëveshje të re me fqinjin jugor, Presidenti Ilir Meta refuzoi kërkesën e Ditmir Bushatit me argumentimin se ishte e paplotë dhe kështu i hapi rrugë skenarëve të reja për këtë çështje.
Ky vendim i kreut të shtetit është intereptuar si një “krisje” raportesh mes tij dhe Ramës, por nga Berati, Kryeministri e mohoi këtë.
I pyetur nga Top Channel sesi e vlerëson qëndrimin e Ilir Metës për dhënien e plotfuqishmërisë për negociatat me Greqinë, ai u përgjigj: “Ndaj me Presidentin të gjithë dashurinë për kanionet dhe të gjithë vëmendjen, që kanionet të jenë një nga pikat më intensive të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë së Beratit. Nëse keni ardhur deri këtu për të nxjerrë një lajm se ka një problem mes meje dhe Presidentit, është vendi më i gabuar për ta bërë këtë, sepse jemi jo larg kanioneve dhe mbi të gjitha kam detyrimin dhe mirënjohjen që Presidenti më ka prezantuar me kanionet dhe falë ftesës së tij kam bërë raftin për herë të parë”.
23 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)