Policia e Kukësit shpall në kërkim të dyshuarin e atentatit


Sipas policisë, dy familje ishin përfshirë prej kohësh në një konflikt për mineralin e kromit


ngjarja ne Kukes (1) Biznesi i paligjshëm i kromit ka rikthyer konfliktet e ashpra në veri të vendit, ku dy vëllezër janë vrarë, ndërsa djali i njërit prej tyre ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Kalimash të Kukësit, por dy familje mësohet se ishin përfshirë prej kohësh në një konflikt për mineralin e kromit, megjithëse askush nuk ka arritur të ndalojë gjakderdhjen.


Burimet policore lokale bënë të ditur se në orët e mesditës janë njoftuar që në ambientet e një galerie ilegale në Kalimash ka pasur përplasje me armë, kështu që menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta policie. Sapo kanë mbërritur aty, uniformat blu janë vënë në dijeni se tre persona nga e njëjta familje ishin qëlluar me armë zjarri. Nga informacionet e mbledhura, policia ka marrë informacion se një person ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që i biri dhe vëllai i viktimës kanë mbetur të plagosur rëndë. Menjëherë, dy personat e plagosur janë nisur me urgjencë për në spitalin rajonal të Kukësit dhe më pas janë transportuar drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar.


ngjarja ne Kukes (2)Sipas të dhënave nga grupi hetimor mësohet se vëllai i viktimës ka ndërruar jetë në spitalin e traumës në Tiranë, pasi nuk u ka mbijetuar plagëve, ndërkohë që gjendja shëndetësore e të plagosurit tjetër, i cili është 17 vjeç, është e stabilizuar. Burimet policore shpjeguan se viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë janë Sami dhe Bilbil Batusha, ndërkohë që i plagosuri është djali i Samiut, Arbër Batusha (emrat e viktimave nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga policia).


Nga ana tjetër, policia ka vijuar hetimet në vendin e ngjarjes me qëllim për zbardhjen e plotë të këtij konflikti dhe identifikimin e autorëve të saj. Nga informacionet e mbledhura paraprakisht, policia ka ngritur dyshimet se autori i vrasjes së dyfishtë është Muharrem Buzhica, i cili është shpallur në kërkim. Po ashtu, policia tha se ka marrë në pyetje persona të tjerë, të cilët kanë qenë pranë vendit të ngjarjes, të cilët kanë dhënë detaje shtesë për dokumentimin e krimit të rëndë. Në orët e pasdites, policia shtoi se ka shoqëruar një nga personat, i cili mendohet se ka bashkëpunuar me të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë.


Në bazë të hetimeve mendohet se dy familjet e përfshira në ngjarjen e djeshme kanë pasur konflikt për galeritë e paligjshme të kromit në zonën e Kalimashit prej disa kohësh. Madje, familja e viktimave ishte zhvendosur me banim në Durrës, por pretendonte se zonat e mineralit ishin prona të tyre dhe shpeshherë kontrollonin mbarëvajtjen e punimeve. Përplasjet për pronësinë mbi këto galeri dhe të drejtën e nxjerrjes e më pas të shitjes së mineralit të kromit kanë shkaktuar shpesh konflikte të ashpra.