Pakti detar
Avramopulos: Caktimi i kufijve, konsolidon paqen në Ballkan
BLEDAR HOTI
Caktimi i kufijve detarë konsolidon paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ky është qëndrimi i mbajtur para Parlamentit grek i ministrit të Jashtëm, Dimitris Avramopulos, gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2013 për Greqinë. Kryediplomati grek ka rikthyer edhe një herë përpara parlamentarëve të vendit të tij çështjen e kufirit detar, duke i mëshuar dhe faktit për zhvillimin e zonës ekskluzive ekonomike. “Politika e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke është caktimi i zonave detare, përshirë zonat ekskluzive ekonomike, me fqinjët”. “Zonja dhe zotërinj, kjo është një politikë që do të pasohet nga veprime konkrete dhe politikat që do të shfrytëzojë pasurinë e territorin grek në tokë dhe në det. Politika jonë është të përcaktojë të gjitha zonat detare, duke përfshirë EEZ, me të gjithë fqinjët tanë, që do të shërbejë në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, tha Avramopulos. Në fjalën e tij, kryediplomati grek i mëshoi faktit se Greqia mbetet dhe është shtyllë e stabilitetit në rajonin e trazuar të Mesdheut lindor dhe juglindor. Avramopulos pohoi se situata në Greqi është më kritikja që pas Luftës II Botërore, por theksoi se kriza që po kalon vendi nuk duhet të sjellë paqëndrueshmëri kombëtare.
Shovinizmi nacionalist në Ballkan
Avramopulos, duke mos përmendur emrin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, theksoi se në veri të Greqisë po vihet re rritje e shenjave nacionaliste dhe shoviniste. “Ndërmarrin nisma në sektorin e energjisë. Ndryshimi i Kartës së Energjisë krijon mundësi të reja për të furnizuar Europën dhe të ndryshojë ekuilibrin gjeopolitik në rajon. Ne, kohët e fundit bëmë një hap të rëndësishëm, siç ishte nënshkrimi i Italisë dhe Shqipërisë, të projektit TAP. Kjo është pika fokale, fillimi i një politike të re të zhvillimit të sektorit energjetik të Greqisë. Por politika duhet të shoqërohet nga iniciativat që do të formësojnë një mjedis të sigurt, besimi, paqeje dhe stabiliteti në rajon, sepse Ballkani me probleme në të kaluarën, përsëri dërgon mesazhe kërcënuese dhe alarmuese. Me rritjen e shovinizmit në rajonin tonë, me grupe të parregullta, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në politikën e brendshme të vendeve fqinje. Ne mbetemi një shtyllë qendrore e sigurisë, garant, si një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s”, deklaroi Avramopulos. Më tej, ai theksoi se “në rajon është ringjallur shovinizmi, ndërsa akuzoi sërish fqinjët veriorë të Greqisë për qëndrime nacionaliste”. “Zonja dhe zotërinj, sot, kriza, lodhja dhe mungesa e përparimit në çështje kritike sjell përsëri në pah qëndrimet nacionaliste dhe populiste në fusha mjaft të ndjeshme të fqinjëve tanë veriorë. Greqia lufton të mbetet larg sindromit ballkanik të së shkuarës dhe të ndihmojë shtetet tona fqinje në përparimin e tyre në rrugën e integrimit europian”, u shpreh ministri. Kjo mbështetje e Greqisë, sipas tij, realizohet pa bërë lëshime substanciale për reformat që duhet të bëhen në drejtim të demokracisë, për respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë dhe zhvillimit të ekuilibruar të marrëdhënieve dypalëshe. Ministri i Jashtëm, Avramopulos, tha në përfundim se Presidenca greke e Bashkimit Europian në gjysmën e parë të vitit 2014, do të përfshijë si prioritet ndër të tjera, të ardhmen e Gadishullit Ballkanik në Europë. Më 3 tetor të këtij viti, ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë. Në takim me homologun e tij, u diskutua dhe në lidhje me Paktin Detar. Panariti në emër të shtetit shqiptar mbajti qëndrimin se do të veprohet në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila e rrëzoi marrëveshjen e parë të 2008-s, pasi binte në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.
TAP – Projekti i gazsjellësit TAP është cilësuar si suksesshëm nga ana e kryediplomatit grek për ndikimin që do të japë në ekonominë
25 për qind – Ministri i Jashtëm bëri të ditur në Parlament se si pasojë e krizës, buxheti i dikasterit që drejton është ulur 25 për qind
3 tetor – Në këtë datë, Athinën zyrtare e vizitoi kryediplomati shqiptar, Edmond Panariti. Çështja e kufijve ishte në krye të bisedimeve
2008 – Në vitin 2008, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e parë detare të firmosur nga dy qeveritë Karamanlis-Berisha