Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se 885 milionë euro kredi që do të marrë Shqipëria nga Brukseli rrezikojnë që të keqmenaxhohen, ndërsa paralajmëroi se në vend do të ketë rritje të mëtejshme të taksave. Nga Durrësi, ajo u shpreh se këto para do të përdoren për interesa të vetë Ramës dhe qytetarët do të qëndrojnë dhe dimrin e ardhshëm në çadrat e kalbura nga viti i kaluar.


“Në takimin e djeshëm në Bruksel, ndërkombëtarët i ofruan nëpërmjet granteve dhe disa lehtësirave 1.15 miliardë euro. Buzëqeshja e Ramës ishte shumë e madhe, por ato nuk ishin as për Ramën as për politikën, por për shqiptarët. 885 mln euro do të jenë kredi. Nuk mund të thuhet që është meritë e Ramës, pasi qeveria e tij do të fusë dorën në xhepin e qytetarëve. Mos u çudisni kur të dyfishohet fatura e energjisë elektrike, mos u çudisni kur fatura e ujit dhe pa pasur ujë në rubinet të dyfishohet.


Kjo bëhet për të manipuluar opinionin publik, për t’i përdorur paratë për interesa të veta,  është plani marshall i Ramës për 5 vite. Pse do e lëmë për 5 vite të pikturojë projektet e tij të bukura?”- tha Kryemadhi për mediat.