Kandidatja e propozuar për të marrë postin e kreut të LSI-së, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se pavarësisht se forca që ajo që do të drejtojë së shpejti, do të jetë në opozitë, nuk do të lërë pa zgjidhur hallet e qytetarëve.


Në një postim në profilin e saj në “Facebook”, Kryemadhi premton se opozita e ardhshme do të jetë e fortë dhe se do të ngrejë zërin për çdo shqetësim, “pavarësisht intrigave të pushtetit”.


Kryemadhi e nis mesazhin e saj me problematikat e këtyre ditëve, që nga mungesa e ujit, dritave në shumë zona të Tiranës. Në këtë status, Kryemadhi flet për rolin e ri që do ketë LSI-ja. Ajo shprehet se tani LSI-ja përfaqëson opozitën e vërtetë dhe premton që do ngrejë zërin fort për çdo shqetësim qytetar.


“Mirëmëngjes miq! Moti ndryshe nga politika që po ftohet duket se do jetë i nxehtë dy ditët në vazhdim. Ndaj kujdes në orët e nxehta të vapës, edhe pse uji dhe dritat mungojë në shumë zona. Ne politikanët i harrojmë ndonjëherë problemet tuaja të përditshme, por ka një zë të fortë që tund dhe shkund apatinë e atyre që kanë marrë përsipër të kujdesen dhe zgjidhin hallet tuaja. Ajo është opozita shqiptare, opozita jonë, e fortë dhe plot me energji për të kuptuar dhe ngritur zërin në maksimum për çdo shqetësim tuajin. Ne jemi me ju, LSI do të jetë pranë problemeve tuaja në çdo ditë apo natë, pavarësisht kushteve të motit apo intrigave të pushtetit”, – shkruan Monika Kryemadhi.


30 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)