Paralajmërimi
Kryeministri Berisha deklaroi dje se ai do të festonte 28 Nëntorin në Vlorë, së bashku me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Kreu i qeverisë gjeti rastin të deklarojë se ai do të festonte në Vlorë, bashkë me drejtuesit e tjerë të mazhorancës ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë. “Më erdhi shumë mirë që zoti Rama do të jetë me ne, në datën 28 Nëntor, në Vlorë dhe ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Pretendimet e mediave të kontrolluara se nuk do të festohet 28 Nëntori në Vlorë ishin një absurditet absolut”, deklaroi Berisha, duke theksuar se nga kjo festë solemne nuk do të përjashtohet asnjë figurë dhe asnjë qytet. Berisha theksoi se pasi do nderonte figurën e Ismail Qemalit në Vlorë, do të kthehej për festime të tjera në Tiranë. “E përgëzoj Ramën që do të jetë më 28 aty dhe do të nderojmë së bashku Ismail Qemalin dhe të gjithë ata burra që firmosën Deklaratën e Pavarësisë, do të nderojmë qytetarët e Vlorës, do të nderojmë të gjithë qytetarët shqiptarë. Do të kthehemi e do të vazhdojmë festën në Tiranë, ku do të bëhen të gjitha nderimet”, theksoi Berisha, duke kërkuar bashkim në këtë muaj.