Replika


Debat i ashpër mes Berishës dhe përfaqësuesve të biznesit mbi kushtet për investitorët


Sali Berisha takimi me investitoret e huajKryeministri Berisha pati një përplasje dje me përfaqësuesen e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri Floreta Luli- Faber. Replika e ashpër ndodhi gjatë një bashkëbisedimi që kreu i qeverisë zhvilloi me një përfaqësi të investitorëve të huaj në Shqipëri. Ajo ngriti disa shqetësime rreth mjedisit të biznesit në vend ndërsa Berisha e akuzoi për pasione, nxitim dhe jo objektivitet. Në komentin e saj në këtë takim, përfaqësuesja e Dhomës Amerikane theksoi faktin se ata do të donin të ftonin bizneset amerikanë të investonin në Shqipëri, për të sjellë dhe prezantuar teknologji të reja, mallra dhe shërbime, por kjo nuk mund të bëhet pasi ka një mjedis jo të favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, një shqetësim që duhet të adresohet në mënyrë të veçantë nga Ministria e Financave. Ajo theksoi se realisht në vend nuk ka konsultim real të biznesit për ndryshimet ligjore dhe tatimet, përmes riintepretimeve të reja ligjore vendosin gjoba të mëdha marramendëse. Berisha e quajti këtë koment të nxituar, pasionant dhe jo objektiv. “Kur bëjmë një konkluzion, duhet të zhvishemi nga pasionet dhe duhet të analizojmë me gjakftohtësi. Unë nuk them se Shqipëria është parajsë. Unë jam këtu për këtë çështje, për ta përmirësuar më tej”, deklaroi Berisha duke theksuar se situata e biznesit në vend është përmirësuar. Po dje gjatë këtij bashkëbisedimi, Berisha i bëri thirrje bankave të nivelit të dytë në vend që të mos negocionin me borxhlinjtë e tyre, por të merrnin menjëherë kolateralin. “Do tu kërkoja bankave të mos bëjnë asnjë negociatë me borxhlinjtë e këqij, por të veprojnë për të marrë kolateralin. Sepse negociatat krijojnë precedentë dhe ai jo vetëm në kontinent por edhe më tej bëhet ligj. Duhet të jemi të vendosur bashkërisht për të konsoliduar këtë çështje themelore për funksionimin e sistemit bankar dhe të ekonomisë”, theksoi Berisha. Ai deklaroi se qeveria do të vijojë të mbajë taksën e sheshtë në vend, si një garanci e cila nuk lejon që kapitali i këtyre kompanive të taksohej në mënyrë të pamerituar dhe se theksoi se një taksë progresive në vend do ta çonte biznesin në informalitet.