Ngjitja në Everest
Kryeministri Berisha priti në një takim në zyrën e tij ekipin prej gjashtë alpinistësh shqiptarë, të cilët pak javë më parë u ngjitën në majën më të lartë të botës, Everest. Ishte interesat fakti se mes grupit të alpinistëve të cilët shënuan një arritje historike për sportin shqiptar, ishte dhe Gjergj Bojaxhi, ish-funksionar i lartë i demokratëve, i cili gjatë muajve të fundit ka pasur shumë kontradikta me lidershipin e PD-së. Por gjithsesi Berisha përgëzoi Bojaxhiun dhe ekipin e alpinistëve të përbërë nga Xhim Begeja, Mateo Begeja, Gerti Pishtari, Fatjon Plaku dhe Erlin Rrudho, në kuadër të nismës së tyre sportive. Në bashkëbisedimin me ta, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ngjarje e bukur për alpinizmin shqiptar do të kujtohet edhe si një arritje historike e jashtëzakonshme për sportin shqiptar në tërësi, duke shndërruar në realitet një ëndërr që alpinistët shqiptarë e kanë pasur që në fillimet e tyre. Kryeministri u shpreh se kjo ngjitje e shkëlqyer u realizua në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. “U ngjitët në majën më të lartë të botës në 100-vjetorin e pavarësisë, një zotim që e morët dhe e përmbushët me dinjitet, duke vendosur flamurin shqiptar në majën e Olimpit të botës, në këtë vit jubilar”, theksoi Berisha.