Berisha flet përmes të rinjve: Padurim për pasaportën shqiptare dhe bashkimin kombëtar 


Fatjona Mejdini


Kryeministri Berisha ka preferuar dje të japë mesazhet e tij për nevojën e dhënies së pasaportës shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që janë përmes rrjetit social “Facebook”. Mënyra që ka zgjedhur Berisha për të përforcuar idetë e tij mbi dhënien e nënshtetësisë shqiptare dhe qëndrimet mbi bashkimin kombëtar kanë ardhur përmes një mesazhi që një e re nga Kosova ia ka dërguar dhe ai ka vendosur ta ndajë për të gjithë simpatizantët në rrjetin social. Idetë e vajzës kosovare, Bleranda Neziri, që studion në Amerikë, Berisha i ka përkthyer si një himn rinor i dashurisë për Shqipërinë. “Kam pasur edhe një ëndërr tjetër prej shumë vitesh, që dhe unë si një shqiptare që jam në zemër, në gjak, të kem në dorë pasaportën personale të Shqipërisë sime. Por, siç duket, sipas jush, edhe kjo ëndërr e imja ka për t’u bërë realitet së shpejti! Faleminderit për këtë gëzim kaq të madh. Më në fund populli ynë po bashkohet përsëri në mënyra të ndryshme. Në zemër! Kjo më jep shpresë, shpresë për ëndrrën time më të madhe: Bashkimin Kombëtar. E di, kam shumë ëndrra, por të gjitha janë për vendin, historinë, popullin dhe ardhmërinë tonë”, thekson e reja, e cila ka zgjedhur të komunikojë me Kryeministrin e Shqipërisë përmes mesazheve në telefon. Me publikimin e këtij mesazhi, Kryeministri Berisha duket se nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij për të pajisur me pasaporta shqiptare të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që ndodhen, në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi etj. Kreu i qeverisë e rihodhi këtë qëndrim përgjatë një mbledhjeje të improvizuar qeverie në katër dhjetor nga qyteti i Vlorës dhe reagimet për këtë deklaratë kanë qenë të shumta. Fillimisht kjo deklaratë solli reagime në opinionin e brendshëm, duke u cilësuar si elektorale dhe që ka si qëllim të nxisë ndjenjat e nacionalizimit për të përfituar sa më shumë vota gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por kjo deklaratë e Berishës ngjalli edhe reagimin e fqinjëve, të cilët deklaratat e Kryeministrit shqiptar në fundin e nëntorit dhe fillimin e dhjetorit të këtij viti i përkthyen si qëndrim i ri i palës shqiptare në favor të nacionalizimit. Kështu, pala greke dhe maqedonase morën veprime energjike ndaj Shqipërisë, duke anuluar edhe vizitat që zyrtarët e tyre kishin planifikuar në Shqipëri me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Por çështja nuk mbeti vetëm mes vendeve fqinje, ajo shumë shpejt u eksportua në Bruksel nga Greqia dhe arriti deri aty sa të konkretizohej në një amendament të Parlamentit Europian. Në këtë amendament të miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së, theksohet qartë se Shqipëria duhet të ruajë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.


Data – Kryeministri Berisha ka deklaruar se dhënia e pasaportave shqiptare do të hyjë në fuqi pas qershorit të këtij viti


Vendimi – Qeveria shqiptare miratoi pak ditë më parë një vendim, i cili i jep nënshtetësinë shqiptare çdo qytetari që investon 200 mijë euro në Shqipëri


Shqetësimet – Këto qëndrime të fundit të Kryeministrit Berisha kanë shqetësuar opinionin e brendshëm, fqinjët dhe institucionet europiane


  


Zhvillimi


Pasaportat shqiptare shfuqizojnë liberalizimin e vizave


Ekspertë të çështjeve europiane kanë theksuar se dhënia e pasaportave shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare shfuqizon marrëveshjen e liberalizimit të vizave, e lidhur mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Kjo, për shkak se shtimi i qytetarëve me nënshtetësi shqiptare nuk është parashikuar në këtë marrëveshje dhe për pasojë ajo pritet të rinegociohet me Brukselin. Kjo situatë pritet të krijojë konfuzion në lidhje me lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Europë.