Berisha premton të drejtën e votës për emigrantët, por s’jep afate


Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi që zhvilloi dje me një përfaqësi emigrantësh shqiptarë që jetojnë në Greqi, deklaroi se qeveria që ai drejtonte ishte e hapur për t’u dhënë mundësinë emigrantëve të votonin për proceset zgjedhore në Shqipëri, aty ku ata jetonin. Por, pavarësisht kësaj deklarate të bërë gjatë një takimi të djeshëm në Kryeministri me përfaqësuesit e Unionit të Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë të Greqisë, Berisha nuk dha detaje të tjera në lidhje me kohën kur do të ndërmerrej ky veprim. Ashtu si dhe herët e tjera, deklaratat e politikanëve nuk kanë munguar në lidhje me nevojën e emigrantëve për të votuar pranë vendit ku jetojnë, por asnjëherë nuk është marrë një masë reale në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, Berisha premtoi se qeveria shqiptare do e rriste vëmendjen e saj ndaj pjesës së shqiptarëve, të cilët jetonin jashtë kufijve. Po dje, Berisha zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike të Maqedonisë, Menduh Thaçin. Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimin e dy vendeve në kuadër të proceseve integruese si NATO dhe Bashkimi Europian.