Reagimi një ditë pas deklaratave të Edi Ramës, që u shpreh se Luka Volonte po bëhet palë me Berishën
Një ditë pas deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili akuzoi kryetarin e grupit të Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, Luka Volonte, se po bëhet palë me Berishën për imunitetin, ka ardhur edhe reagimi nga Kryeministria. Në një dalje publike për mediat, zëdhënësia e kryeministrisë, Erla Mëhilli e ka cilësuar “një sulm absurd dhe të papërmbajtur”. “Zoti Rama sulmoi verbërisht personalitetin e shquar të Partive Popullore Europiane që qeverisë sot në 17 vende anëtare të BE, vetëm e vetëm se ai i bëri thirrje z. Rama të mos bllokojë heqjen me datë 6 gusht të imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pasi ky është një shkelmim i tij i përsëritur mbi ëndrrën Europiane të shqiptarëve. Zoti Rama ndërmori sulmin e tij vulgar ndaj këtij miku të shqiptarëve, pra z. Volonte, vetëm dhe vetëm, se ai dje i rikujtoi atij, por dhe të gjithë shqiptarëve se në bisedën e tij të fundit në selinë e Partisë Socialiste, z. Rama kishte denoncuar qeverinë se nuk pranonte ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për ministrat dhe zyrtarët e tjerë, pasi kishte frikë nga hetimet për korrupsion, kurse tani që qeveria kishte pranuar ndryshimin e Kushtetutës dhe të gjitha propozimet tjera për heqjen e korrupsionit ishte vet ai, pra z Rama, që nuk pranonte shembjen e murit të korrupsionit duke e renditur veten kështu si Kryetari i vetëm i opozitës në botë, që mbron mazhorancën me imunitet, sikur të ishte vegël dhe jo kundërshtar sovran i saj”, thuhet mes të tjerash në deklaratën për shtyp të kryeministrisë. Më tej PD-ja i ka bërë thirrje kryesocialistit Rama të heqë dorë nga sulmet ndaj miqve të Shqipërisë dhe personaliteteve të larta Europiane, si dhe të të lejojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të votojë me datë 6 gusht për heqjen e imunitetit.
4 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)