Kryeprokurori Adriatik Llalla, ka mbledhur sot drejtues dhe prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë prezantimit të prioriteteve të tij në krye të organit të akuzës qendrore, Llalla ka theksuar se do të ketë rifreskim të strukturave.
Ai ka premtuar se një nga prioritetet do të jetë promovimi i vlerave të mira në radhët e prokurorëve, por nga ana tjetër ka theksuar se nuk do të tolerohen abuzimet me detyrën. “Përvoja ka dëshmuar se askush nuk është i përjetshëm në pozicione, duke filluar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke vijuar tek drejtorët e drejtuesit e prokurorive të rretheve. Mendoj se ka nevojë për një rifreksim dhe veprimet konkrete do të realizohen pasi të jetë diskutuar gjerësisht me të gjitha strukturat, me qëllim rivitalizimin e institucionit të prokurorisë”, tha Llalla.
Numri 1 i akuzës shqiptare ka theksuar se prokuroria është një institucion i centralizuar, gjë e cila duhet të respektohet nga çdo hallkë e këtij institucioni. “I takon Prokurorisë së Përgjithshme që të shpërndajë mesazhe në prokuroritë Apelit dhe të rretheve se jemi një strukturë e centralizuar dhe duhet respektuar ky detyrim i rëndësishëm ligjor, i cili do të ndikojë në rritjen cilësore të aktivitetit institucional”, është shprehur ai.
13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)