Nisma e opozitës do të shqyrtohet më 18 maj. PD kufizon hetimin


BLEDAR HOTI – Nisma e opozitës për ndryshimin e ligjit të kufijve do të shqyrtohet më 18 maj, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, demokrati Leonard Demi, deklaroi se në këtë datë do të zhvillohet shqyrtimi i projektligjit “Për një ndryshim në ligjin 9861, datë 24.01.2008 ‘Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror’”, ku prezent në këtë seancë do të jenë dy ministrat, ai i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe i Brendshëm, Bujar Nishani. Demi bëri të ditur se mbledhja u la për më 18 maj, për shkak se vetëm në këtë datë dy ministrat nuk kanë angazhime ndërqeveritare. Dy ministrat pritet të japin mendimet e tyre mbi nismën e opozitës, por gjithashtu ata pritet të flasin dhe për marrëveshjen kufitare për ujërat me Greqinë. Pakti detar me Greqinë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Qeveria shqiptare e shfuqizoi këtë ligj më 2008, çka u pasua me një pakt të ri detar me Greqinë. Një gjë e tillë u kontestua nga opozita, pasi shfuqizimi i ligjit lë shtetin shqiptar pa kufij.


PD kufizon hetimin e opozitës


Komisioni Parlamentar i Sigurisë diskutoi mbi kërkesën e dy deputetëve të PS-së, Piro Lutaj dhe Armando Prenga, për ngritjen e dy grupeve kontrolli nga kjo strukturë kuvendore për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit nga Ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme për vitin 2010-2011. Kryekomisioneri Demi bëri të ditur se fillimisht, grupi i përbashkët mes PD-së dhe PS-së do të nisë hetimin mbi mënyrën e zbatimit të ligjit për gradat dhe karrierën në dy ministritë, të Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Për këtë, nga mazhoranca, ai propozoi deputetët Luan Skuqi dhe Osman Metalla si anëtarë. Ndërsa nga opozita ende nuk janë përcaktuar dy deputetët, edhe pse u përmendën emrat e Piro Lutaj dhe të Armando Prengës. Deputeti socialist Lutaj e kundërshtoi kufizimin e hetimit ndaj këtyre dy dikastereve, pasi objekti i kërkesës së tyre nuk përqendrohet vetëm te mënyra e zbatimit të ligjit të gradave në ushtri dhe në polici, por ajo ka një gamë më të gjerë. Por Demi, nga ana e tij, e argumentoi këtë propozim me faktin se nuk mund të realizohen të gjitha pikat njëherësh, pasi është e pamundur, prandaj procesi i verifikimit do të jetë shkallë-shkallë. Ai propozoi gjithashtu që edhe raporti i Lutajt me Skuqin për shkarkimin e tre gjeneralëve Arian Zaimi, Kudret Çela dhe Vladimir Qirjazi të jetë pjesë e këtij hetimi të ri. “Raportet me dy mendime të ndryshme mund të futen si raste të veçanta gjatë kryerjes së këtij hetimi të ri”, tha Demi. Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj, e cilësoi si një lëvizje të qëllimshme të PD-së, për shkak se pranimi i kërkesës është vonuar në kohë. “Nëse shtyhet me tre muaj çdo pikë, i bie që as ti të mos jesh më kryetar i komisionit, pasi dhe për pak po na afrojnë zgjedhjet parlamentare”, tha Sterkaj. Për Ministrinë e Brendshme, opozita kërkon të hetojë: “1. Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’, lidhur me politikat e personelit dhe vendosjen e gradave për efektivat e Policisë; 2. Mbikëqyrja dhe verifikimi i tregueseve dhe modeli statistikor që përdoret nga Ministria e Brendshme dhe drejtuesit e Policisë Shtetit, për pasqyrimin e situatës kriminale në vend; 3. Mbikëqyrja për punën konkrete që është bërë, lidhur me zbulimin e autorëve të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, kryekomunarit Remzi Veseli, gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe oficerit të SHISH Isa Çopa; 4. Mbikëqyrja për punën e bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe efektshmëria e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për vitin 2011, në zbatim të Strategjisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar; 5. Mbikëqyrja për ndryshimet e strukturave në Policinë e Shtetit dhe bazueshmëria e tyre në ligjin “Për Policinë e Shtetit”; 6. Mbikëqyrja e procedurave për përgjimet telefonike dhe 7. Mbikëqyrja për zbatimin e ligjit “Për Emergjencat Civile”. Ndërsa objekt i hetimit është edhe Garda e Republikës.


 


Mars: Opozita ka paraqitur që në muajin mars nismën për ndryshimin e ligjeve të kufijve. Vetëm pas dy muajsh, ai do të shqyrtohet nga komisioni përkatës


23 shkurt: Kërkesa e dy deputetëve të opozitës, Lutaj dhe Prenga, është paraqitur më datën 22 shkurt, zyrtarisht pranë Komisionit Parlamentar të Sigurisë


2 ministri: Opozita kërkon hetimin e dy ministrive, asaj të Brendshme dhe të Mbrojtjes. Por në fokusin e hetimeve është edhe Garda e Republikës për ngjarjen e 21 janarit


 


Kërkesa


Lutaj thërret në interpelancë Imamin


Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, nisur nga zvarritja e pranimit të kërkesës së opozitës për ngritjen e komisioneve të inspektimit ka depozituar një kërkesë për zhvillimin e një interpelance me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Çështja kryesore do të jetë ajo për dhënien e gradave, zbatimi i ligjshmërisë në ndryshimet strukturore, administrimin e buxhetit në interes të objektivave të Forcës dhe i aseteve që dalin të lira nga riorganizimi i FA-së.