Alfred Sinamati rezistoi, por u sulmua nga një ujkonjë në pjesët e gjymtyrëve
Dimri i sivjetshëm, ndonëse në fillimet e veta, ka sjellë një ngjarje të pazakontë, ku bariu i dhive në një fshat është sulmuar nga ujqit. Ngjarja ka ndodhur të shtunën pasdite në fshatin Bushat të Komunës Bicaj, 10 kilometra larg qytetit të Kukësit. Një tufë e vogël ujqish ka sulmuar tufën e dhive, të cilën e ruante 27-vjeçari, Alfred Sinamati, në një shpat të malit të afërt, ku dhitë hanin majat e shkurreve në dëborë. Siç duket, bariu është munduar t’i ndalojë dhe për këtë ujqit e kanë sulmuar duke e kafshuar në disa vende, kryesisht në këmbë. I riu kishte kërkuar ndihmë nga disa barinj të tjerë, të cilët e kanë shpëtuar nga ujku dhe e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Kukësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Madje, ngjarja u mor vesh pikërisht nga bluzat e bardha, të cilat, kanë treguar se gjendja e 27-vjeçarit është stabilizuar dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Sipas disa barinjve që e kanë ndihmuar Sinamatin t’u shpëtojë ujqërve, ai ka qenë në mal me një tufë dhish, i vetëm bashkë me dy qentë e tufës, kur tre ujqër, mes tyre një ujkonjë, kanë rrethuar tufën e dhive. Qentë janë munduar të rezistojnë duke u kacafytur me ujqërit, por janë shqyer në pak sekonda nga ujqërit e uritur. Mbasi kanë shqyer të dy qentë, ujqit i janë turrur edhe çobanit të tufës. Ky ka bërë rezistencë duke u përballur me ujkonjën, e cila e ka kafshuar në gjymtyrët e përparme, ndërsa Sinamati ia ka thyer të dyja këmbët e prapme.
Bariu i kërcënuar ka thirrur për ndihmë, ndërsa në vendin ku po ndodhte ngjarja, ka shkuar i vëllai, i cili falë një arme gjahu, çifte, ka shtënë mbi ujqërit, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi drejt pyllit.
27-vjeçari Sinamati tashmë ndodhet në spitalin rajonal të Kukësit, ku po merr ndihmën mjekësore, por mjekët tregojnë se mungon një nga medikamentet e rëndësishme kundër sëmundjes së tërbimit, dhe ky është një problem. Nëse ujqërit kanë qenë të sëmurë me tërbim, atëherë rrezikohet jeta e të riut. Familjarët janë vënë në lëvizje duke kërkuar nëpër farmaci apo ku të munden medikamentin që duhet për t’i shpëtuar jetën njeriut të tyre.
Bora në trashësi të madhe që shkon deri 1.5 në zonat malore dhe temperaturat deri në minus 20 gradë C nën zero, gjithnjë për zonat malore, kanë reduktuar ushqimin e kafshëve të egra siç është rasti i ujqërve. Edhe në dimrat e shkuar me temperatura shumë të ulëta dhe dëborë, janë parë lukuni ujqish të uritur në afërsi të zonave urbane duke shkaktuar frikë jo vetëm për bagëtitë, por edhe për njerëzit.
Nga ana e saj, Shoqata e Gjuetarëve thotë se gjuajtja e ujkut është ndaluar dhe se kjo mund të ndodhë vetëm në raste të caktuara. Sulejman Dida