bleona-mata-280x200Një 19 vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Orgjocë të komunës Zapod, në Kukës, pasi kishte rrëmbyer një të mitur me qëllim trafikimi jashtë kufijve kundrejt përfitimit monetar.


Sipas të dhënave policore  19 vjeçari Begzin Isha e ka rrëmbyer 8-vjeçarin inicialet A.F në qendër të fshatit, gjatë së premtes në mbrëmje. Policia e Kukësit arriti ta gjejë të miturin vetëm të shtunën në mbrëmje pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga informatorët e saj.


I riu 19-vjecar, Begzin Isha ka qëndruar për studime për një kohë të gjatë në Kosovë. Gjatë marrjes në pyetje në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës, ai pranoi fajësinë e krimit të rëndë, por ende nuk është sqaruar se cili ishte destinacioni i synuar i këtij rrëmbimi.


Ndërkohë, ngjarja e fundit ka ngritur dyshimet e familjarëve të vajzës 6 vjeçare Bleona Mata që u zhduk pa asnjë gjurmë 3 vjet më parë në të njëjtën zonë. Sipas gjyshit dhe nënës së Bleonës, ata dyshojnë se i njëjti person ka rrëmbyer për qëllime trafikimi edhe vajzën e tyre, e cila tashmë, nëse është gjallë duhet të jetë 9 vjeçe.


Sipas nënës së Bleonës, Bukurie Mata, prej kohësh ajo i kishte shprehur dyshimet për 19 vjeçarin Isa si personi që në bashkëpunim me hallën e 6 vjeçares, Qamile Mata kishin organizuar rrëmbimin për qëllime trafikimi të vogëlushes së saj.


Ndërkohë, mësohet se pas dyshimeve të shprehura nga familjarët e 6 vjeçares duke marrë shkas nga rrëmimi i 8 vjeçarit në fshatin e tyre, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje hallën e Bleona Matës, Qamilen e cila edhe më parë është pyetur për këtë ngjarje, por nuk ka pranuar për asnjë moment se kishte lidhje me zhdukjen e Bleonës.


Bleona Mata u zhduk pa lënë gjurmë ndërsa ndodhej në malin e fshatit, e shoqëruar nga 5 kushërirat e saj të rritura, pasditen e 22 majit të vitit 2010. Megjithëse kërkimet për të u shtrinë në të gjithë vendin dhe jashtë tij, deri tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj.


 


31 mars 2013 (gazeta-Shqip.com)