Heqja e dritave
Prefektura hyn në bisedime pas bllokimit të autostradës për 5 orë
Sulejman Dida
Qindra banorë të fshatrave të komunave Shtiqën dhe Tërthore, si dhe të fshatrave Nangë dhe Bushat të Komunës Bicaj, kanë protestuar prej më shumë se dy javësh kundër ndërprerjes së dritave nga ana e CEZ-it, protestë e cila është shkallëzuar edhe me bllokimin e autostradës Durrës-Prishtinë. Bllokimi i fundit ndodhi një ditë më parë, kur qindra udhëtarë të ndryshëm, në të dyja kahet e autostradës, u është dashur të presin në rrugë, në të ftohtë, për më shumë se 5 orë. Banorët, e zemëruar nga mungesa e gjatë e dritave, kanë vendosur gurë në të dyja trasetë, që përdoren për ndarjen e autostradës. Gjithashtu, ata kanë vendosur rojë në anë të autostradës, që të urdhërojnë shoferët të fikin dritat e gjata, si dhe të mos tentojnë të prishin protestën. Radha a makinave në të dyja kahet ka shkuar diku tek 3-4 km, ku ka pasur edhe një numër autobusësh, si dhe kamionë të rëndë transporti. Nuk kanë munguar edhe debatet me zë të ngritur mes banorëve e pasagjerëve dhe drejtuesve të mjeteve për disa raste emergjence, siç kanë qenë dhjetëra pasagjerë avionësh e kështu me radhë, por protestuesit nuk kanë lëshuar pe. Aty nga ora 20:30, moti është ftohur tej mase dhe temperatura ka zbritur deri në minus 2 gradë Celsius, megjithatë vetëm kur CEZ-i ka vendosur të takojë çelësin e dritave për të gjithë, protestuesit kanë liruar rrugën, duke u kërkuar ndjesë shoferëve. Në mesin e pasagjerëve të panumërt që kanë qëndruar të bllokuar, ka pasur edhe fëmijë, pleq dhe të sëmurë, por që nuk e kanë zbutur situatën e territ që ka nisur që para dy javësh.
Protesta dhe pretendimet
Protestat e këtyre dy javëve zakonisht kanë nisur te nënstacioni elektrik në Rexhepaj, ku një nëpunës tha se ishte shumë i frikësuar për fatin e tij dhe të shumë njerëzve. “Këtu kanë hyrë dhjetëra njerëz, të cilët as që ia kanë idenë se si funksionon nënstacioni”, tha një elektricist i shërbimit, duke tentuar të mbrojë vendin e punës dhe imazhin e kompanisë. Madje, ai shtoi se për këtë arsye, CEZ-i kishte dhënë miratimin që të paktën derisa gjendja të qetësohej, të ulej çelësi, duke lënë në errësirë të gjithë rrethinën e Kukësit dhe një pjesë të Hasit. Nënstacioni në Rexhepaj, që nga muajt e verës së sivjetme është arenë e protestave për energjinë elektrike, dhe shkaku ishte bërë një ndërprerje kolektive e dritave për të gjithë zonën nga ana e CEZ-it. Asgjë nuk i ka ndaluar banorët nga mësymja drejt nënstacionit, përveçse premtimi se do të lëshohen dritat, ndonëse përkohësisht. Me harta në duar, harta të tokave të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës, nga ku buron energjia për ta, si dhe me libreza e fatura të vulosura për ata që kanë paguar, banorët shkallmuan dyert e nënstacionit dhe kur panë se CEZ-i uli çelësin e dritave për të gjithë Rrethin e Kukësit dhe përsëri askush nuk e ngriti zërin, apo siç tha një fshatar nga Morini, “shteti bën sehir para arrogancës së CEZ-it”, atëherë ata iu drejtuan autostradës me shpresën se mund të tërheqin vëmendjen e qeverisë. Fshatarët kanë qenë të ndarë në qëndrimet ndaj faturave dhe janë të bashkuar në faktin se ato duhen paguar, por më parë duhet të zgjidhet problemi i pronave të tyre të përmbytura. Nga ana tjetër, CEZ-i nuk ka të drejtë të ndëshkojë qoftë edhe një konsumator të vetëm nëse ai është pagues i rregullt i energjisë. “Ne jemi dakord për faktin që kjo është një marrëdhënie tregtie, më jep energji të jap lekët, por kur unë të jap lekët, përse nuk ma sjell energjinë”, tha një banor nga Bicaj, i cili i ishte bashkëngjitur protestës, pasi prej shumë ditësh fshati i tij Nangë ishte pa drita. “Këtu nuk jemi një për të gjithë e të gjithë për një”, tha një banor tjetër.
Përmbytjet dhe dritat
Rreth 35 mijë banorë të zonave të Kukësit kryesisht, përfshi Kukësin e vjetër, si dhe të disa rretheve të tjera, u shpërngulën nga banesat e tyre për t’ia lënë vendin hidrocentralit më të madh në Shqipëri, Fierzës. U përmbytën më shumë se 3 mijë hektarë tokë bujqësore, mijëra të tjera kullota dhe pemëtore, vreshta, troje e ndërtesa publike dhe infrastrukturë bujqësore. Për mijëra familje u përmbyt një sasi e madhe toke e punueshme, edhe në ato raste kur fshati nuk u përmbyt plotësisht. Tokat e kolektivizuara me dhunë nuk ishin gjithnjë të dokumentuara me harta të sakta, kështu që shteti neglizhoi një nga problemet madhore të krejt këtij qindvjeçari sa u takon pronave, atë të përmbytjes. Problemi nisi të marrë jehonë pas një greve urie, gati legjendë dhe përleshjeve të dhunshme me policinë në vitin 1994 që e detyroi qeverinë të ulet me banorët. Por qeveria, që atëherë gjeti vetëm zgjidhje të pjesshme dhe, siç është nënvizuar nga njohësit e kësaj fushe, zgjidhje të gabuara. Zgjidhje të pjesshme u dhanë vetëm për disa prej banorëve, ndërkohë që të tjerët nuk morën asgjë. Janë pikërisht ata që bërtasin, jo të gjithë sigurisht, për kompensim të tokave të përmbytura. CEZ-i thotë se nuk ka të bëjë me tokat e përmbytura, se është privat dhe shet energjinë, dhe se i përmbyturi duhet të merret me shtetin. Por, të përmbyturit i thonë CEZ-it, përse e bleve me probleme energjinë që prodhohet mbi pronat e tyre? Dhe përmbytja ka ndodhur në vitin 1978.
Vidhen telat, shiten për skrap
Duke qenë se prej dy javësh, Komuna Tërthore nuk ka energji, rrjeti ka rënë pre e vjedhësve të ndryshëm, të cilët kanë prerë telat dhe i kanë shitur për skrap. Një elektricist i zonës tha me shqetësim se mijëra metra tel janë këputur dhe janë shitur për skrap dhe sot zor që në një të ardhme të afërt të riparohet ky dëm i madh. “Është tepër serioze kjo puna e marrëdhënieve CEZ-konsumator, një pjesë e fshatarëve e kanë paguar dhe nuk duhej stakuar korrenti për ta. Pjesa tjetër ndoshta duhet të merret përsipër nga shteti, sepse janë ekstremisht të varfër, por korrenti nuk duhej stakuar, sepse duke e ditur se nuk ka energji, telat po vidhen çdo ditë e më shumë”, tha ai, duke shtuar se e gjithë situata po degradon një shekull prapa si në kohën e kandilit.
“Drita deri më 20 nëntor”
Duke u nisur nga kjo situatë kaotike, më në fund kanë reaguar prefektura dhe Këshilli i Qarkut të Kukësit, të cilët kanë kërkuar negocime për të gjetur zgjidhje, që sipas pushtetarëve, është zbatimi i ligjit. “Nuk është e drejtë të ndëshkohet konsumatori në mënyrë kolektive, për shkak se dikush apo disa nuk paguajnë energjinë”, thotë prefekti Elez Maçi, duke shtuar se CEZ duhet të gjejë modalitetet e duhura për të qenë korrekt me konsumatorin korrekt. Por, duke parë gjendjen e mjerueshme të zonës, ai ka negociuar disa herë që të mos kalohet në masa ekstreme ndaj fshatrave. Kështu, dje në mesditë, në një takim në prefekturë, ku kanë qenë përfaqësues të CEZ-it, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, të ERE-s, drejtues të komunave Tërthore, Shtiqen e Bicaj, është rënë dakord që zona të furnizohet pa ndërprerje deri me datën 20 nëntor 2012. Në këtë periudhë do të nisë një fushatë sensibilizimi nga CEZ, e ndihmuar nga pushteti vendor për të nisur me pagesat e faturave. Nisja e pagimit të energjisë çel edhe rrugën për negocimin e mënyrës së pagesave të debive që shkojnë me miliona lekë për familjet debitore.
Varfëria dhe ndihma ekonomike
Ndihma ekonomike nuk do të mjaftonte për të paguar energjinë që CEZ u ka faturuar fshatarëve. Edhe sikur t’u mbahej e gjitha. Faturat përmbajnë një shumë lekësh disa herë më shumë se ndihma ekonomike, ndërkohë që numri i madh i familjeve të kësaj skeme tregon mjerimin skandaloz në zonat fshatare të Kukësit. “60% e popullsisë jetojnë me ndihmë ekonomike”, thotë një burim i specializuar i shoqërisë civile. Edhe drejtuesit e komunave tregojnë për faktin që toka bujqësore është shumë e paktë, minierat dhe fabrikat kanë falimentuar me kohë, pyjet gjithashtu u dogjën dhe burimet ekonomike të familjeve janë limituar deri në mbijetesë. Një fshatar nga Përbregu i Komunës Tërthore, tha se kishte dy dynym tokë të përmbytur dhe asnjëherë nuk kishte marrë kompensim. “Janë përmbytur edhe tokat ku kullotnim bagëtitë. Sot as bagëtitë nuk kemi ku t’i ushqejmë. Një lopë kam që e ushqej e asgjë tjetër mbas shpirtit. CEZ le të vijë e të ma shtetëzojë lopën, tjetër gjë nuk kam ç’t’i jap”, tha ai.