Vëllai i dëshmorit
Familja, kolegët dhe shteti i japin lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut”, Adem Tahiraj
Bledi Gilaj
Vëllai i dëshmorit Adem Tahiraj ishte nisur për në Tropojë, kur i kanë telefonuar dhe i kanë treguar se ai ishte vrarë në krye të detyrës. Ai ka qenë ndër të fundit e familjes që ka marrë vesh lajmin e kobshëm, pavarësisht se e parandjeu fatkeqësinë, sapo pa thirrjet e humbura në telefonin e tij. Teksa qëndron në krye të vendit, në një lokal përballë shtëpisë trekatëshe, ku burrat presin ngushëllimet për humbjen e madhe të oficerit të vrarë në krye të detyrës, i cili dje u shpall “Dëshmor i Atdheut”, Mustafë Tahiraj tregon momentin e kobshëm dhe marrëdhëniet me vëllain. Sytë i ka të skuqur, por e mban veten për të respektuar ata qindra njerëz që kanë ardhur për të nderuar të afërmin, shokun dhe kolegun e tyre, që u vra dy ditë më parë në Sukth të Durrësit.
Si u njoftuat për vdekjen tragjike të vëllait tuaj?
Dje isha nisur për në Tropojë dhe kalova në Kosovë, pasi rruga është më e mirë. Por valët e telefonit ikën dhe nuk kishte kontakt me asnjeri. Në momentin që janë rikthyer valët e telefonit, kam parë shumë thirrje të humbura dhe e parandjeva se kishte ndodhur diçka e rëndë. Më kishin marrë shumë veta. Në ato momente u lidha me familjen në Tiranë dhe më thanë se vëllai im ishte vrarë gjatë një operacioni policor.
Po policia kontaktoi me ju?
Jo, unë u ktheva në rrugë dhe në mbrëmje vonë erdha në Tiranë. Vetëm këtu kam kontaktuar me shumë kolegë të tij, të cilët më treguan se çfarë kishte ndodhur dhe si kishte ndodhur.
E kishit takuar vëllain?
Ne takoheshim pothuajse çdo ditë, ose flisnim në telefon. Por, dje nuk e kisha takuar. Nuk arrita të flas me të, as në telefon. Ai dukej njeri i qetë dhe nuk i kishte bërë keq askujt (i mbushen sytë me lot dhe e ndërpret rrëfimin).
Ndërsa brenda pak minutash, në shtëpinë trekatëshe, dëgjohen britmat e grave, të mbledhura rreth arkivolit të oficerit të policisë, i cili dje u shpall “Dëshmor i Kombit”. Një i afërm thotë me gjysmë zëri se “është vajza e madhe”. E në atë kohë, punonjësit e policisë marrin mbi supe dëshmorin për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pas tyre shikohet djali 14-vjeçar, i cili mbahet nga kushërinjtë, ndërkohë që vajza e madhe thërret nga dera e jashtme “o babi, mos ik”, ndërsa duhet t’i japin lamtumirën e fundit. Ndërsa nën muzikën funebër, në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë u shfaqën personalitete të rëndësishme të vendit që shtrënguan duart dhe ngushëlluan familjarët e kryekomisarit. “Lamtumirë kryekomisar! Vepra jote nuk do të vdesë kurrë”, ishin fjalë që kolegë dhe miq thanë mbi arkivolin, ku shtrihej trupi i shefit të komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Në ceremoninë e homazheve u vu re prania e Kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Jozafina Topalli, kreut të opozitës, Edi Rama, që shoqërohej nga një grup deputetësh socialistë dhe qindra punonjësve të policisë.
Karriera
Jeta e kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj
Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 01.09.1963, me arsim të lartë policor, titulluar punonjës policie në vitin 1986, në Komisariatin e Policisë Tropojë, ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë.
Nga vitet 1986 deri në vitin 2008, ka shërbyer me detyra të ndryshme, si specialist i policisë në zonë dhe në detyrën e specialistit të policisë kriminale në Komisariatin e Policisë Tropojë dhe Kukës.
Nga viti 2008, deri më 1 shtator 2011, ka ushtruar detyrën e shefit të njësisë operative në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Nga 1 shtatori 2011, ushtronte detyrën e rëndësishme të shefit të Komisariatit të Policisë Shijak.
Gjatë gjithë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të rendit dhe sigurisë publike, të policisë kriminale dhe të shefit të komisariatit të policisë, është karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrës, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në luftën pa kompromis kundër elementëve kriminalë, si dhe është dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët.
Në datën 13.09.2012, humbi jetën në krye të detyrës.