Besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit. Kremtimet e kësaj dite kanë nisur qysh në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të pranishëm në këtë lutje tradicionale kanë qenë drejtues të xhamive të vendit, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça. Klerët myslimanë së bashku me besimtarët kanë kryer ritin e faljes dhe kanë uruar për paqe dhe begati në familjet e çdo besimtari dhe shqiptari.
Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës së njeriut në emër të besimit të Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.
Një ditë më parë, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça uroi shqiptarët, duke i ftuar ata që të afrohen më shumë me njëri-tjetrin në këtë ditë të madhe. “Të nderuar besimtarë kudo që ndodheni, ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra gëzuar e për shumë vjet festën e Kurban Bajramit, që këtë vit përkon me 100-vjetorin e pavarësisë. Me urdhrin e kurbanit përfaqësohet përkushtimi ndaj Zotit të madhërishëm. Kjo festë e madhe të trokasë në derën e çdo shtëpie dhe të sjellë paqe e harmoni. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, deklaroi Muça.
Politika
Krerët e shtetit dhe përfaqësues të klasës politike shqiptare kanë uruar besimtarët myslimanë në këtë ditë feste. Presidenti Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi elektronik u ka përcjellë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo në botë, urimet më të mira me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit. “Festa e sotme është një pjesë integrale e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ku, me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë. Ky është një tregues i përkushtimit tonë për vlerat më të larta njerëzore, çfarë na fisnikëron si popull, promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri, si dhe konsolidon përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të ndritur, për një të ardhme, të cilën ne e shohim të projektuar si pjesë e familjes së madhe evropiane, tek e cila afrohemi me vlera dhe trashëgimi kombëtare dinjitoze. Paçi ngahera në familjet tuaja shëndet, gëzim, paqe, begati e mirëqenie! Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!”, përfundon urimi i Presidentit Nishani.
Kryeministri Sali Berisha ka vijuar propagandën politike edhe në këtë ditë feste, duke uruar shqiptarët që vitin tjetër festën e Kurban Bajramit ta festojnë me një fitore të Partisë Demokratike. “Uroj gëzuar dhe uroj që Kurban Bajramin tjetër ta festojmë më mirë më gëzuar, me një fitore të re të merituar”,- deklaroi Berisha pas vizitës në Komunitetin Mysliman paraditen e sotme.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka shfrytëzuar këtë ditë për një mendim ndaj njerëzve në nevojë, duke u shprehur se e nesërmja do jetë një ditë më e mirë për ta.
“Uroj festën e Kurban Bajramit të gjithëve dhe veçanërisht njerëzve në nevojë. Të gjithë atyre që janë në fund të muajit dhe nuk ndihen mirë se s’kanë të ardhura të mjaftueshme, gjithë atyre që kanë njerëzit e dashur larg”, tha Rama. Kreu i PS uroi të gjithë ata, që sipas tij, kanë nevoje për dritë, shpresë dhe për kurajo dhe që janë shumica. “Uroj me gjithë zemër që nesër të jetë më mirë dhe padyshim do të jetë”,- tha Rama pas vizitës së tij në selinë e Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pasi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit theksoi se kjo festë ka një gëzim të veçantë pasi festohet në një vit jubilar, atë të 100 vjetorit të pavarësisë.
“Sot të gjithë shqiptarët nderojnë festën e besimtarëve myslimanë. Sot të gjithë nderojmë festën e Kurban Bajramit. Ndoshta është festa që ka gëzim më të madh brenda vetes. Në këtë 100-vjetor, kjo festë sigurisht që gëzimin e ka të veçantë, unik, të jashtëzakonshëm” tha Topalli pas vizitës në Komunitetin Myslyman Shqiptar.
Edhe kreu i FRD-së Bamir Topi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit ndërsa kërkoi më shumë tolerancë dhe mirëkuptim. “Kjo është një ditë me një kuptim shumë të madh dhe mesazhi që jap sot dhe të gjithë ditët që do të vijnë është që logjika, arsyeja, toleranca të mbizotërojë mbi injorancën, arrogancën dhe mungesën e vullnetit. Uroj edhe njëherë gëzuar Kurban Bajrami dhe mirësi, begati dhe harmoni” tha Topi.
25 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)