Specialisti
Mehmet Metaj: Po neglizhohet strategjia për mbrojtjen e pyjeve
Qeveria shqiptare po kursen 15-20 milionë lekë për parandalimin e zjarreve në pyje dhe në këtë mënyrë po humbet miliarda lekë çdo verë. Mehmet Metaj, specialist pyjesh dhe një nga hartuesit e strategjisë kombëtare për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave nga zjarri, sqaron në një intervistë për gazetën “Shqip” se humbjet e pazëvendësueshme të pyjeve të Shqipërisë mund të ishin minimizuar pa shumë mund.
“Strategjia e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave nga zjarri, miratuar në vitin 2001, ka parashikuar menaxhimin e këtyre situatave dhe ka planifikuar blerjen e mjeteve të nevojshme, por për fat të keq ato nuk janë blerë ende”, thotë Metaj. Ai thekson se ka 5 vjet që buxheti i shtetit nuk lëvron fonde për mbrojtjen e pyjeve në përgjithësi, e në veçanti, për raste emergjencash të këtij lloji, për rrjedhojë digjen kullota e pyje pa kurrfarë problemi dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Edhe këtë verë po përballemi me djegie masive të pyjeve. A mund ta parandalojnë këtë fenomen strukturat e shtetit?
Po, mund t’i parandalonin këto përmasa që kanë marrë si asnjëherë zjarret dhe kjo kërkon së pari të merreshin masa paraprake duke mbështetur fuqizimin e kapaciteteve parandaluese të strukturave të Shërbimit Pyjor Shtetëror i kombinuar me atë zjarrfikës. Strategjia e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave nga zjarri, miratuar në vitin 2001, ka parashikuar menaxhimin e këtyre situatave dhe ka planifikuar blerjen e 12 makinave zjarrfikëse, disa helikopterëve dhe mjeteve të tjera zjarrfikëse për skuadrat zjarrfikëse dhe këto mjete të logjistikës zjarrfikëse nuk janë blerë ende.
Diskutohet për mungesën e fondeve në buxhet. Mund të na thoni konkretisht sa ka qenë ai dhe cila duhet të jetë norma, duke marrë shembujt e vendeve të tjera?
Ka disa vjet, rreth 5 vjet, që kanë munguar fondet tërësisht për mbrojtjen e pyjeve në përgjithësi dhe të atyre nga zjarret në veçanti. Deri para disa viteve, ne mbanim ose ngrinim gjatë verës një strukturë të veçantë që quhet “Rrjeti i vrojtim-sinjalizimit”, që përbëhej gjithë vitin nga rreth 150 vetë dhe sezonal (3-muajt e nxehtë të verës) rreth 350 vetë me një pagë minimale prej 20 mijë lekësh në muaj dhe pas 2005-s këto struktura filluan të degradojnë nga vendosja e militantëve partiakë dhe më pas janë hequr fare se s’ka fonde për t’i mbajtur.
Ndërsa nëse duam të përmendim shifra, ato kanë varijuar sipas viteve. Përpara 6-7 vitesh ne kemi mbajtur rreth 150 vrojtues-sinjalizues për gjithë vitin, me një fond mesatar, rreth 15 mln lekë të reja në vit, ndërsa deri para 4-5 vitesh merreshin dhe trajnoheshin rreth 250-300 vetë gjatë sezonit veror, fond që arrinte në rreth 15-20 mln lekë për çdo vit.
Mund të na thoni çfarë është bërë me pyjet e djegura. A ka marrë shteti ndonjë masë për zëvendësimin e tyre?
Nga statistikat e sektorit pyjor vitet e fundit dhe sidomos në 2007-n dhe sivjet janë djegur mesatarisht rreth 2500-3000 ha/vit pyje dhe disa dhjetëra mijëra hektarë kullota, ndërsa nga buxheti i shtetit nuk është dhënë asnjë fond për restaurimin e tyre. Kjo kërkon disa dhjetëra milionë lekë fonde për ripërtëritjen e këtyre sipërfaqeve, por më e lehtë do të ishte marrja e disa masave për parandalimin dhe minimizimin e dëmit nga zjarret, vetëm shpëtimi i rreth 10 ha pyjeve mund të justifikojë pagat e të gjithë vrojtues-sinjalizueseve që përmenda më sipër. Ndërsa vende të tjera europiane marrin masa serioze për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri, që nga planet paraprake operative vjetore, strategji afatgjata, kompletimin e kapaciteteve zjarrfikëse, infrastrukturës dhe logjistikës së nevojshme.
Ne për fat të keq jemi i vetmi vend në Europë që s’kemi ende asnjë makinë zjarrfikëse të dislokuar në pyjet e larta dhe pikat e nxehta të parqeve për mbrojtjen e tyre në rast zjarri dhe asnjë helikopter. Marrja e helikopterëve me qira, që është aplikuar vitet e fundit, e para nuk është zgjidhje se zjarret e përhapura e kanë bërë të vetën, e dyta kanë kushtuar shumë shtrenjtë.
Një pjesë e pyjeve ka kaluar në pronësi të komunave. Sa e ka vështirësuar ky transferim menaxhimin e situatave emergjente?
Pyjet dhe kullotat u kanë kaluar komunave vërtet, rreth 50 për qind e tyre ose rreth 750 mijë hektarë, por pa strukturat administrative, duke i lënë pa zot për t’i mbrojtur ato nga zjarret. Komunat kanë marrë disa fonde nga projekte të investitorëve të huaj, por ende nuk kanë krijuar struktura të posaçme për mbrojtjen dhe mbarështimin e pyjeve dhe kullotave. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri me modele ultimative “alla profantesh”. Dhe ç’është më e keqja, në vend që të krijohen strukturat menaxhuese të këtyre pyjeve komunale, duke i mbështetur ato me fonde, Kryeministri ynë hedh dhe idenë primordiale të privatizimit të pyjeve, pasi i ka lënë ato pa zot prej disa vitesh, por kjo s’mund të bëhet kurrë, se pyjet janë pronë publike dhe u janë dhënë komunave vetëm në përdorim për të plotësuar nevojat e tyre.
Ekziston një strategji për pyjet dhe mbrojtjen e tyre, por faktet tregojnë se në realitet pak është bërë. Cili është komenti juaj?
Jo vetëm që ekziston një strategji për sektorin e pyjeve dhe kullotave, por siç e përmenda edhe më lart kemi edhe një strategji të veçantë, siç kemi edhe një ligj për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave nga zjarri, të dyja të hartuara dhe miratuara nga qeveritë tona, njëra në vitin 2001 dhe tjetra në vitin 2004, të hartuara me asistencën e mbështetjen e institucioneve më prestigjioze të pyjeve, nga FAO dhe BB. Si dokumente, ato ekzistojnë, por qeveria e sotme nuk po u referohet aspak, qoftë logjistikës së propozuar për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri apo krijimit të strukturave të mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave nga komunat.
Jetëshkrimi i Mehmet Metaj
Mehmet Metaj, në vitet 1979-1989 ka punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Rrethin e Kukësit, ndërsa në vitet 1990-2003, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave, në pozicionin e drejtorit të zonave të mbrojtura. Specialist i pyjeve, në vitet 2003-2004, ka punuar si drejtor i projektit të FAO-s për pyjet. Pas kësaj, për 5 vjet me radhë, deri në vitin 2010, ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës ALBAFOREST. Metaj ka punuar si kryespecialist për pyjet në projektin e zhvillimit të burimeve natyrore me BB, në vitet 2010-2012, ndërsa nga ky vit e në vazhdim ai është drejtor ekzekutiv i Qendrës ALBAFOREST.