Ndërroi jetë sot në moshën 67-vjeçari “gjenerali”, Nehat Kulla. Mësohet se Kulla vdiq si pasojë e një ataku kardiak.
Rreth një vit më parë, saktësisht më 13 korrik të vitit 2019 Nehat Kulla u lirua nga burgu. Ai ka shlyer në burgun e Fushë Krujës dënimin 20 vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.
Nofka e “Gjeneralit”
Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake.
Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.
Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën.