Precedenti
“Vendimet e KQZ nuk mund të ankimohen te ne”
Gjykata Kushtetuese i mbyll rrugën çdo lloj ankese që lidhet me proceset zgjedhore. Mosshqyrtimi i kërkesës për rezultatin e zgjedhjeve në Komunën e Dajçit të Qarkut të Lezhës, mund të shërbejë si precedent në të ardhmen. Në vendimin e saj, gjykata ka bërë të qartë se zgjedhjet nuk janë juridiksion i saj. Partia Socialiste dhe kandidati i saj në këtë komunë ankimoi në Kushtetuese vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor që shpallte fitues rivalin e tij demokrat. Kandidati socialist, Rrok Rroku, ka pretenduar për një proces jo të rregullt ligjor, pasi është cenuar e drejta themelore për t’u zgjedhur. Por pas shqyrtimit të saj, gjyqtarët, megjithëse e cilësojnë ankimimin legjitim, kanë vlerësuar se pretendimet e kërkuesve nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.
Ata theksojnë se në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartësisht procedura e apelimit. Vendimet e KQZ-së apelohen në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili nuk ankimohet. Ata saktësojnë se vendimmarrja e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës, si dhe procedurat e ndjekura lidhur me të, nuk janë pjesë e juridiksionit kushtetues. Në vendimin e argumentuar thuhet se “kushtetutëbërësi ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, deputetëve si dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre, duke mos e shtrirë këtë të drejtë ndaj subjekteve të zgjedhjeve lokale”. Po kështu gjykata kujton se ajo është përjashtuar nga shqyrtimi i kërkesave të subjekteve zgjedhore lidhur me kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve, me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2003, të cilat u reflektuan dhe në ndryshimet e mëvonshme të tij.
Kolegji
Do të jetë Kolegji Zgjedhor, organi që do të mbajë barrën e animimeve të zgjedhjeve të 23 qershorit, duke parë edhe situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor, gjatë dy zgjedhjeve të fundit: ato parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011, mori vendime që ishin në favor të Partisë Demokratike dhe në disfavor të Partisë Socialiste. Opozita kontestoi ashpër disa gjyqtarë të Kolegjit duke i cilësuar si “vegla të pushtetit”. Rast për një qëndrim akuzues, ishte edhe emërimi i gjyqtarit i Kolegjit Zgjedhor, Tomë Ndreca si anëtar i Gjykatës së Lartë. Zoti Ndreca ishte relator i vendimit që lejonte numërimin e votave të hedhura gabim në Bashkinë e Tiranës, çka favorizoi kryetarin aktual, Lulzim Basha. Ndërkaq, kësaj radhe, Kolegji Zgjedhor është rinovuar me emra të rinj, të cilët janë: Fuat Vjerdha, Valbona Çekrezi, Edlira Petri, Petrit Ceno, Gjinovefa Gaba, Kriton Spahiu, Ilir Toska dhe Andi Civici. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi se do të ishte pozitive sikur rezultati i zgjedhjeve të jetë i qartë dhe të mos dërgohet në Kolegj, pasi do të kthente një situatë siç e cilësoi ai “të pafat”.