Festat e fundvitit
Pema e Vitit të Ri në sallën e seancave plenare u ndez nga fëmijët e deputetëve dhe të administratës së Kuvendit. Atë që nuk arrijnë baballarët e tyre të ndarë në dy kampe, PS dhe PD për votimin e ligjeve, duket se kanë arritur fëmijët që kanë gëzuar për festën e fundvitit. Nën tingujt e këngëve të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, tullumbaceve, lojërave, buzëqeshjeve dhe urimeve, salla e seancave, sot ishte më e bukur se kurrë. Fëmijët u ulën në karriget e prindërve të tyre, kërcyen e kënduan këngët më të dashura për ta. Prindërit e tyre ishin më të emocionuar se fëmijët që këndonin e kërcenin në ritmin e muzikës. “Ishte gjë shumë e bukur të zbukuroja pemën e Krishtlindjeve së bashku me fëmijët. Festat e fundvitit janë më të bukurat. Ato sjellin vetëm gëzim për të gjithë. Ne mbyllëm një vit për të hapur një vit edhe më të bukur për ju, për prindërit tuaj dhe për të gjithë shqiptarët kudo që të jenë”, tha Kryetarja e Kuvendit. “Qofshi gjithmonë të lumtur, të gëzuar, të qeshur, të shëndetshëm ju bashkë me familjet tuaja”, uroi Kryetarja e Kuvendit, e cila më pas u shpërndau fëmijëve, dhurata e libra të përgatitur enkas për ta.