Shtyhet miratimi në tërësi për tregtimin e paligjshëm të kartave SIM dhe ‘tregtia’ e tritolit


[callout]Eduard Halimi – “Nuk e kuptoj se përse keni ardhur këtu të papërgatitur. Na doli ministri më parë dhe thoshte shoferat në burg. Tani na del se nuk ka ndryshuar asnjë gjë, pasi i është referuar Kodit të vjetër Penal, ku këto ndryshime i kemi votuar një vit më parë”


Ilir Mustafaraj – “Kompanitë funksionojnë me nënkontraktorë. Ata ia shesin kartat një nënkontratori dhe ai personi tjetër pastaj i shet ato të paregjistruara. Ne ku ta gjejmë mjetin ligjor për të shkuar tek kompania, se na e kanë sjellë në majë të hundës”


Fatmir Xhafaj – “Duhet të dënohet kompania. Ai që blen 10 karta për të fituar 100 lekë e çojmë në burg, ç’faj ka ai kur kompania ia jep. Normalisht që do të bëjmë një draft se po bëjmë gjithçka për ato kompani që e nxjerrin fitimin shtatëfish”


Neni 5 – “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet. Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë”.


Neni 1 – Në fund të nenit 34 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Për vepra penale që dënohen deri në tre vjet burgim, kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me dënimin me gjobë, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë”[/callout]


Herion Mesi


komisioni-i-ligjeveÇdo shkelës që ka mundësi financiare, ditët e burgut mund t’i konvertojë edhe me para, ku vlera e një ditë izolimi të llogaritur nga qeveria është 5 mijë lekë dita. Është ky një nga ndryshimet e reja në Kodin Penal të kërkuara nga qeveria, që u miratua në Komisionin e Ligjeve. Por pavarësisht vendimmarrjes ky propozim shkaktoi debate të forta brenda vetë mazhorancës, ku fillimisht, propozimi i Ministrisë që parashikon që shkelësi mund ta konvertojë burgimin e tij në gjobë, duke e paguar atë kundrejt shumë prej 50 mijë lekësh një ditë burgimi hasi në kundërshtimin e deputetes së PS-së, Ermonela Felaj, e cila u shpreh kundër miratimit të kësaj dispozite, e cila, sipas saj, nuk penalizon shkelësit e ligjit, por favorizon ata që kanë mundësi financiare. “Ka disa mënyra të tjera për dënimin alternativ. Madje na rezulton se kemi dënime alternative që nuk i kemi vënë në zbatim, siç është mbikëqyrja elektronike. Futja e një dënimi tjetër alternativ më duket i tepërt. Nga ana tjetër, kjo dispozitë favorizon shtresat e pasura, duke privuar ata që s’kanë mundësi të paguajnë për ditët e burgut”, – tha Felaj. Por, sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Arben Isaraj, kjo dispozitë është vënë në dispozicion të gjykatës vetëm për raste të caktuara. Ndërsa socialistja Vasilika Hysi theksoi se efekti i ashpërsimit të ndëshkimit nuk ka vlerë nëse miratohet kjo dispozitë. Në të njëjtën linjë me Hysin u shpreh dhe deputeti demokrat, Eduard Halimi, i cili u shpreh se qeveria nuk po ashpërson, por po i lehtëson dënimet. “Ministria e Brendshme i referohet një ligji që ka ndryshuar shumë kohë më parë. Të na vijnë me një propozim të ri dhe të na thonë duan të zbusin apo ta ashpërsojnë”, – tha Halimi.


Kartat SIM


Drafti i qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal ka shënuar rrëzimin e parë në Kuvend, e kësaj here me konsensusin e dy kampeve të politikës, të pozitës dhe opozitës.Komisioni i Ligjeve, me konsensus të plotë mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, vendosi që të shtyjë miratimin në tërësi të projektligjit të kërkuar nga Ministria e Brendshme për disa ndryshime në Kodin Penal, me qëllim që qeveria të rishikojë draftin e saj, që parashikon ashpërsimin e ndëshkimit të veprave penale të vjedhjes së energjisë; ashpërsimin e masave të dënimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse; përcaktimin e kufirit minimal të dënimit me burgim për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe tregtimin e jashtëligjshëm të kartave SIM.


Me debate të forta u shoqërua edhe diskutimi mbi nenin që parashikon dënimi për personat që shesin numra telefonikë të kompanive celulare, ku deputetët kërkuan nga qeveria që edhe vetë kompanitë celulare të mbajnë përgjegjësitë e tyre për shitjen e pakontrolluar të kartave SIM. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, u shpreh kritik për nismën e Ministrisë së Brendshme, e cila sipas tij, jo për çdo ngjarje kriminale që ajo përballet në terren, duhet të propozojë ndryshime në Kodin Penal, duke propozuar që të kontrollohen kompanitë e telefonisë celulare. “Kam diçka edhe me ju të ekzekutivit. Jo çdo gjë që po ndodh aty jashtë të vijë menjëherë këtu e përkthyer në mënyrën më të keqe të mundshme. Duhet të dënohet kompania. Ai që blen 10 karta për të fituar 100 lekë e çojmë në burg, ç’faj ka ai kur kompania ia jep”, – tha Xhafaj. Në përgjigjen e tij zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj, tha se kompanitë funksionojnë me nënkontraktor. “Ata i shesin kartat një nënkontratori dhe ai personi tjetër pastaj i shet ato të paregjistruara”, – tha ai. Ndërsa socialistja Felaj, në fjalën e saj, u shpreh se ky propozim i sjellë nga ministria nuk parashikon dënimin e kompanive, duke i akuzuar ato se pengojnë punën e prokurorëve. “Kjo nuk të çon në dënim e kompanive që e pengojnë punën e prokurorëve që të marrin të dhënat. Sinqerisht duhet ta kuptoni se këtu po ndryshojmë Kodin Penal në mënyrë që gjyqtari dhe prokurori ta ketë më të lehtë punën dhe jo ta vështirësojmë edhe më shumë, duke e koklavitur ligjin”, – tha deputetja socialiste. Pas këtij diskutimi, zëvendësministri tjetër Isaraj kërkoi që të kthejë projektligjin, i cili, sipas tij, ka nevojë për rishikimin e dispozitave për kompanitë celulare. “E zëmë se Qanija shet karta SIM. Ajo ia blen kompanisë dhe i ndajnë 4 mijë lekë kompania dhe 1 mijë lekë Qanija. Kur ndodh shpërthimi me tritol, rezulton se karta është në emër të Qanijes, pasi ka blerë 100 karta dhe të gjitha janë të regjistruara në emër të saj dhe ne nuk e gjejmë dot se kush e ka bërë shkeljen. Në rastin konkret, Qanija ka kontratë shitje se ajo është në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë dhe deri këtu është në rregull Qanija me ligjin. Ndaj unë them që të rishikojmë edhe një herë dispozitat për ligjin për kompanitë celulare, që të mos bëjmë ndonjë përplasje”, – u shpreh Isaraj. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, duke pranuar propozimin e zëvendësministrit Isaraj, kërkoi nga ministria që kjo dispozitë të riformulohet dhe më pas të sillet në komision për miratim.