Debatet mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me konstituimin e KQZ së re janë zhvendosur ditën e sotme në kuvend, me akuza dhe kundërakuza të ndërsjella nga të dyja palët.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi e akuzoi mazhorancën se po shkel afatet për miratimin e anëtarëve dhe kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo, nisur nga fakti se miratimi i anëtarëve të KQZ-së nuk është përfshirë në rendin e ditës të punimeve të kuvendit.


“Pas tetë muajsh kemi zgjedhje, ndërsa ende nuk kemi një KQZ, duke shkelur në mënyrë të vazhdueshme afatet në plotësimin e një institucioni kaq të rëndësishëm si Komisioni Zgjedhor. Ne si opozitë do të donim që ky proces të ishte ndryshe, sipas frymës së kodit elektoral dhe nenit përkatës. Këtij procesi duhet t’i paraprinte një proces politik, i cili nuk u krye asnjëherë si i tillë, sidomos me aplikantët për kryetar të KQZ-së”, – tha Ruçi.


Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka akuzuar opozitën se, duke ndjekur frymën e bllokimi në këmbim të pazareve, është duke e shtyrë edhe zgjidhjen e çështjes së KQZ.


“Përgjegjësja e vetme për kapërcimin e afatit kohor për konstituimin e KQZ-së është opozita, pasi i kam kërkuar z. Ruçi, në respekt të Kodit të ri t’i paraqesim njëri-tjetrit kandidaturat. Z. Ruçi më kërkoi kohë. Ai tani akuzon mazhorancën. Ruçi e bllokoi procesin, duke e çuar atë në kalendat greke që sot të kërkojë pse nuk konstituohet KQZ”, – deklaroi Patozi.


Ai më tej i ka bërë thirrje opozitës që të rikthehet nën komisionin e ligjeve dhe të kryejë detyrën e saj, pasi siç u shpreh Patozi, zgjedhjet fitohen me qytetarët jo me kodin elektoral apo anëtarët e KQZ.

4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)